Japonia paralajmëron publikun të qëndrojë i evakuuar për shkak të kërcënimit të cunamit pas tërmetit në Kamchatka
- Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, një cunami prej 60 centimetrash është vëzhguar në Portin Kuji në provincën Iwate dhe në qytetin Hamanaka në Hokkaido, ndërsa Porti Ishinomaki në provincën Miyagi ka regjistruar valë 50 centimetra

Ankara
ANKARA (AA) - Valët e cunamit goditën sot disa pjesë të rajoneve bregdetare të Paqësorit të Japonisë pas një tërmeti të madh që goditi Rusinë, ndërsa autoritetet u bënë thirrje dhjetëra mijëra banorëve në zonat e prekura të qëndrojnë të evakuuar, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, një cunami prej 60 centimetrash është vëzhguar në Portin Kuji në provincën Iwate dhe në qytetin Hamanaka në Hokkaido, ndërsa Porti Ishinomaki në provincën Miyagi ka regjistruar valë 50 centimetra, tha transmetuesi publik NHK.
Rajonet Tohoku dhe Kanto gjithashtu kanë regjistruar aktivitet të lartë valësh, duke përfshirë një rritje prej 30 centimetrash në Portin Yokohama.
Më herët gjatë ditës, valë më të vogla u vunë re përgjatë bregdetit lindor të Hokkaidos, në Portin Hanasaki në Nemuro, në Hamanaka dhe në Portin Kushiro.
Autoritetet kanë lëshuar urdhra evakuimi dhe u kanë kërkuar banorëve që janë pranë bregdetit ose lumenjve të evakuohen menjëherë në vende më të larta dhe të qëndrojnë në vende të sigurta derisa të hiqet paralajmërimi.
Valët e cunamit kanë goditur gjithashtu transportin ajror dhe tokësor në disa pjesë të vendit.
Autoritetet mbyllën pistat, pezulluan fluturimet në Aeroportin Sendai në verilindje të Japonisë dhe disa fluturime për në qendrën kryesore bregdetare janë ridrejtuar, ndërsa shërbimet hekurudhore u pezulluan gjithashtu në disa zona.
Gadishulli Kamchatka ka përjetuar tërmete dhe cunami masivë në të kaluarën, por i fundit ishte tërmeti më i fortë në historinë moderne.
Tërmeti me magnitudë 8,8 shkallë shkaktoi paralajmërime për cunami në gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 20,7 kilometrash dhe 119 kilometranë lindje-juglindje të qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.