Japonia do të bëjë përpjekje diplomatike për të lehtësuar tensionet në Ngushticën e Hormuzit
"Ne vazhdojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar dhe do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme diplomatike", tha kryeministrja japoneze, Takaichi
Stamboll
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi tha sot se Tokio do të bëjë "çdo përpjekje të mundshme diplomatike" për të lehtësuar tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit në mes të luftës SHBA-Izrael me Iranin, transmeton Anadolu.
"Ne vazhdojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar dhe do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme diplomatike", tha Takaichi në parlament, sipas Kyodo News me seli në Tokio.
Deklarata erdhi pas samitit të saj me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Washington javën e kaluar. Trumpi ka kërkuar që Japonia të vendosë forca detare për t'u bashkuar me operacionet ushtarake amerikane për të hapur Ngushticën e Hormuzit, e cila është nën kontrollin efektiv të Iranit.
Pothuajse 90 për qind e furnizimeve me energji të Japonisë kalojnë nëpër rrugën ujore kritike, dhe anijet e saj mbeten të bllokuara ndërsa Tokio tashmë ka filluar të lirojë rezervat e saj strategjike të naftës për të përmbushur kërkesën e brendshme.
Në samitin e saj me presidentin e SHBA-së, Takaichi u tha ligjvënësve se Trumpi ka deklaruar se "garantimi i sigurisë së Ngushticës së Hormuzit është jashtëzakonisht i rëndësishëm" dhe kërkoi kontribute nga Japonia dhe vendet e tjera në lidhje me sigurinë e lundrimit.
"Unë u përgjigja duke thënë se e pranoj që garantimi i sigurisë së lundrimit është i rëndësishëm nga perspektiva e një furnizimi të qëndrueshëm me energji dhe shpjegova në detaje se çfarë mund dhe nuk mund të bëhet brenda fushëveprimit të ligjeve të vendit tonë", tha Takaichi, sipas transmetuesit publik NHK.
Kushtetuta e Japonisë, e cila heq dorë nga lufta, nuk e lejon atë të bashkohet me luftimet jashtë shtetit. Veçmas, Kyodo News raportoi se Tokio "po shqyrton blerjen" e naftës bruto nga Kazakistani.
Eksploratori japonez i naftës dhe gazit, Inpex Corp. i mbështetur nga shteti japonez, i cili mban të drejtat për naftën bruto në Kazakistan, “mund të ridrejtojë një pjesë në Japoni”, tha raporti.
“Megjithatë, transportimi i naftës bruto nga Kazakistani në Japoni ka të ngjarë të zgjasë më shumë për shkak të distancës më të madhe dhe kostot e prokurimit mund të jenë gjithashtu relativisht më të larta”, sipas raportit.
Ai shtoi se Inpex “po shqyrton gjithashtu mundësinë e bërjes biznes me Azerbajxhanin dhe Australinë, ku gjithashtu mban të drejta për naftën bruto dhe gazin natyror”.
Përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme ka vazhduar të ndizet që nga sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.300 njerëz, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet globale dhe aviacionin.
Teherani ka vendosur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kritike për energjinë globale dhe furnizime të tjera për pjesën më të madhe të Azisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
