Bota

Japonia dhe Franca do të bashkëpunojnë për mineralet kritike dhe energjinë bërthamore

Në një takim në Tokio, kryeministrja japoneze Takaichi dhe presidenti francez Macron shprehën "shqetësime serioze" në lidhje me kufizimet në eksportet e mineraleve kritike

Saadet Gökce  | 01.04.2026 - Përdıtësım : 01.04.2026
Japonia dhe Franca do të bashkëpunojnë për mineralet kritike dhe energjinë bërthamore

Stamboll

Japonia dhe Franca kanë rënë dakord të avancojnë bashkëpunimin në furnizimin me minerale kritike si dhe në energjinë bërthamore, transmeton Anadolu.

Në një takim në Tokio, siç raporton Kyodo News, kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehën "shqetësime serioze" në lidhje me kufizimet në eksportet e mineraleve kritike.

Kina, e cila thuhet se nxjerr rreth 70 për qind të furnizimit botëror dhe rafinon rreth 90 për qind, shtrëngoi rregullat e eksportit për këto minerale vitin e kaluar.

Takaichi dhe Macron ranë dakord të mbajnë komunikim të ngushtë për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

“Në një mjedis gjithnjë e më të ashpër ndërkombëtar të sigurisë, bashkëpunimi me vendet me mendësi të ngjashme nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm për paqen dhe prosperitetin e kombeve tona dhe rajonit", tha Takaichi, duke e quajtur Francën një "partner të veçantë".

Dy liderët gjithashtu ranë dakord të krijojnë një dialog të nivelit të lartë mbi inteligjencën artificiale.

Macron është në një vizitë tre-ditore në Japoni që filloi dje dhe më pas do të udhëtojë në Korenë e Jugut.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, udhëtimi është i pari i tij që nga marrja e detyrës në vitin 2017, i cili është i përqendruar vetëm në një samit dypalësh.

"Në një botë të tronditur nga luftërat dhe tensionet, partneriteti i jashtëzakonshëm midis Japonisë dhe Francës vazhdon të forcohet. Paqja, sovraniteti dhe prosperiteti janë horizonti ynë i përbashkët", tha Macron në rrjetin social amerikan X.

Ndërkohë, ministri japonez i Punëve të Jashtme, Toshimitsu Motegi dhe ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, zhvilluan një takim me homologët e tyre francezë Jean-Noel Barrot dhe Catherine Vautrin.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se të dy palët diskutuan bashkëpunimin në sektorin e hapësirës, ​​sigurinë kibernetike, marrëdhëniet e Japonisë me NATO-n dhe BE-në, çarmatimin bërthamor dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.