Bota

Japoni, fëmijëve u ofrohen trajnime që të jenë të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore

Që në moshë të vogël, fëmijët informohen se çfarë duhet të bëjnë gjatë dhe pas një katastrofe

Sümeyye Dilara Dinçer  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 25.11.2025
Japoni, fëmijëve u ofrohen trajnime që të jenë të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore Foto: Sümeyye Dilara Dinçer / AA

Ankara

SUMEYYE DILARA DINÇER

Në Japoni, e cila ndodhet në Brezin e Tërmeteve të Paqësorit, të njohur si "Unaza e Zjarrit" dhe ku ndodhin 1.500 tërmete çdo vit, fëmijëve që në moshë të vogël u mësohet vetëdija që të jenë të përgatitur për fatkeqësi natyrore, raporton Anadolu.

Tërmeti "Kanto" i vitit 1923, i njohur si tërmeti që shkaktoi më shumë vdekje në historinë e vendit, tërmeti i madh "Hanshin" në Japoninë perëndimore në vitin 1995 si dhe tërmeti dhe cunami shkatërrues i vitit 2011 kanë qenë ndër fatkeqësitë natyror më shkatërruese në histori.

Sipas informacionit të marrë nga një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme japoneze, vendi i cili përjetoi kushte të këqija strehimi pas Luftës së Dytë Botërore, u trondit gjithashtu nga tërmeti "Kanto" në vitin 1923 dhe tajfuni "Ise-wan" në vitin 1959. Këto fatkeqësi nxorën në pah nevojën për legjislacion gjithëpërfshirës për menaxhimin e fatkeqësive dhe u miratua ligji bazë i vitit 1961 për menaxhimin e fatkeqësive.

Pas tërmetit të madh "Hanshin", i cili goditi pjesën perëndimore të vendit në vitin 1995, u bë e qartë se ndërtesat e vjetra në veçanti, nuk ishin në përputhje me rregulloret dhe kërkonin përforcim. Ligji u rishikua në përputhje me rrethanat dhe filluan programet e mbështetjes financiare për përforcim.

Vite më vonë në vitin 2011, një tërmet ndodhi në rajonin Tohoku, duke shkaktuar viktima të shumta. Cunami pasues e ekspozoi vendin ndaj një kërcënimi të ri për fatkeqësi. Ndjeshmëria e ndërtesave të banimit ndaj cunamit përforcoi qasjen e "gatishmërisë ndaj fatkeqësive të papritura".

Falë masave të marra, pak ndërtesa u dëmtuan në tërmetet që ndodhën në vend. Shkollat ​​dhe objektet e tjera publike mbetën "strehë të sigurta". Statistikat e përgjithshme tregojnë se vlerësimi i rezistencës sizmike të objekteve publike është afërsisht 99 për qind.


- Përgatitja individuale për katastrofat

Ndërsa rikonstruksioni i ndërtesave publike në Japoni ndaj tërmeteve sigurohet nga fondet publike, përgjegjësia për banesat private bie mbi qytetarët. Qeveria japoneze mbështet vetëm një pjesë të kostos së rikonstruksionit të ndërtesave të vjetra kundër katastrofave ndërsa pjesa tjetër financohet nga pronarët e ndërtesave.

Njerëzit ose i rikonstruktojnë ose i rindërtojnë ndërtesat e tyre kundër tërmeteve. Secili në vend e kupton se nëse nuk arrijnë të përgatiten individualisht për katastrofat, do të pësojnë dëmet dhe humbjet më të mëdha në rast të ndonjë katastrofe.

Që në moshë të vogël, fëmijët informohen se çfarë duhet të bëjnë gjatë dhe pas një katastrofe. Përveç trajnimit të ofruar për katastrofat, nxënësit përforcojnë të nxënit e tyre përmes ushtrimeve mujore. Gazetari i AA-së mori pjesë në një turne për mediat të organizuar nga qeveria japoneze dhe vëzhgoi trajnimin e "Ekipit rinor për parandalimin e katastrofave" në Shkollën e Mesme "Koyo" në lagjen Odaiba të Tokios.

Shkolla, e cila edukon nxënës të shkollave të arsimit fillore dhe të mesëm të ulët, ka program të vazhdueshëm dhe aktiv edukimi për katastrofat. Përveç stërvitjeve mujore, stërvitjet e drejtpërdrejta publike mbahen një ose disa herë në vit.

Kështu, trajnimi për katastrofat mbështetet nga ushtrime praktike që përfshijnë drejtpërdrejt publikun dhe agjencitë e emergjencës. Gjatë trajnimit, nxënësit ndahen në katër grupe, evakuimi, trajnimi për ndihmën e shpejtë, shuarja e zjarrit dhe përgatitja e ushqimit.

Një grup ofron udhëzime për evakuimin e të moshuarve dhe fëmijëve dhe ofrimin e ndihmës së shpejtë gjatë një tërmeti ndërsa një grup tjetër përdor fikës zjarri për të luftuar flakët në rast të një zjarri të mundshëm. Për të siguruar qasje të lehtë në ushqim pas një tërmeti, nxënësit gatuajnë oriz në kazanë dhe e paketojnë atë për viktimat e fatkeqësive.


- "Gjëja e rëndësishme është të kujtojmë se katastrofat natyrore mund të ndodhin"

Zëvendësdrejtori i shkollës, Iwasaki Minoru tha për AA-në se nxënësit që morën trajnim ndihmojnë në evakuimin e të moshuarve dhe të fëmijëve që i kanë prindërit në punë gjatë një tërmeti. Pasi vuri në dukje se zona është destinacion turistik dhe se turistët duhet të ndihmohen me evakuimet në rast të një katastrofe të mundshme, Iwasaki shpjegoi se nxënësit praktikuan se si të kryejnë evakuime të tilla.

Ai tha se shumë njerëz u prekën nga tërmeti "Tohoku" me magnitudë 9 ballë në vitin 2011 dhe se nxënësit e kësaj shkolle morën pjesë në evakuimin e atyre që ishin bllokuar nën rrënoja.

Ndërsa trajnimi ofrohet në të gjithë vendin se si individët duhet të mbrojnë veten gjatë dhe pas një tërmeti, Iwasaki thotë se ky trajnim është i veçantë. "Në këtë shkollë, ata mësojnë dhe praktikojnë se si t'i ndihmojnë të tjerët. Ky është një program trajnimi i veçantë që mbahet 10 herë në vit", tha ai.

Iwasaki thekson rëndësinë e edukimit për fatkeqësitë, duke thënë se "Këto janë shumë të rëndësishme për ne".

"Japonia është vend i prirur ndaj katastrofave natyrore. Katastrofat natyrore mund të ndodhin në çdo kohë. Kjo është arsyeja pse mënyra se si e mbrojmë veten dhe si mbijetojmë është shumë e rëndësishme. Për shembull, një tërmet mund të ndodhë tani, duhet të jemi të përgatitur. Nuk jemi mësuar me tërmetet, mund të jetojmë me to. Mendoj se gjëja e rëndësishme është të kujtojmë gjithmonë se një katastrofë natyrore mund të ndodhë dhe të mendojmë se çfarë do të bënim nëse do të ndodhte", tha ai duke shtuar:

"Të gjithë në Odaiba kanë në stok një furnizim tre-ditor me ushqim dhe ujë. Tre ditë janë thelbësore për mbijetesë, kështu që besojmë se dikush do të vijë dhe do të na shpëtojë pas tre ditësh", tha ai.

Në katet e sipërme të shkollës, ka pako ushqimi të thatë dhe shishe uji që mund të nevojiten pas një tërmeti. Këto furnizime zëvendësohen çdo pesë vjet, varësisht nga data e skadimit të tyre.


- Çdo ministri ndërmerr detyrat e veta lidhur me reagimin ndaj katastrofave

Në Japoni, Zyra e Kabinetit dallohet si institucioni kryesor për koordinimin kombëtar të katastrofave.

Masat për parandalimin e katastrofave, të tilla si forcimi i infrastrukturës dhe zbatimi i rregulloreve të ndërtimit, në përgjithësi kryhen nga ministritë përkatëse. Ministria e Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit është në ballë të këtyre ministrive. Çdo ministri përgatit planin e vet të zbatimit dhe merr buxhetin e vet.

Ministria e Bujqësisë duhet të zhvillojë planin e vet të menaxhimit të katastrofës për tokën bujqësore. Ministria e Shëndetësisë ndan buxhetin e vet për përgatitjen e shërbimit mjekësor në rast të një katastrofe. Ministria e Arsimit gjithashtu kryen aktivitete arsimore shkollore me buxhetin e vet.

Çdo ministri përkatëse ka përgjegjësi të ndryshme në reagimin ndaj katastrofave. Zyra e Kabinetit është përgjegjëse vetëm për përgatitjen e planit bazë të koordinimit dhe menaxhimit të katastrofave.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.