Bota

Izraelitët protestojnë para rezidencës së presidentit kundër kërkesës së Netanyahut për falje

Dhjetëra izraelitë protestuan pranë shtëpisë së presidentit të Izraelit në Tel Aviv për të kundërshtuar kërkesën e kryeministrit Netanyahu për falje presidenciale lidhur me akuzat për korrupsion

Mohammad Sıo  | 01.12.2025 - Përdıtësım : 01.12.2025
Izraelitët protestojnë para rezidencës së presidentit kundër kërkesës së Netanyahut për falje Foto: Mostafa Alkharouf / AA

Kuds

Dhjetëra izraelitë protestuan para shtëpisë së presidentit të Izraelit, Isaac Herzog në Tel Aviv të dielën në mbrëmje për të kundërshtuar kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për falje presidenciale lidhur me akuzat për korrupsion, transmeton Anadolu.

Ligjvënësit e opozitës përfshirë anëtaren e Parlamentit, Naama Lazimi, iu bashkuan protestës e cila kërkoi që presidenti Herzog të refuzojë kërkesën për falje, raportoi e përditshmja "The Times of Israel".

Protestuesit mbajtën pankarta që fajësojnë Netanyahun për krizën politike të Izraelit dhe brohoritën "Ti je udhëheqësi, ti je fajtori". Një protestues mbante maskë të Netanyahut dhe kostum portokalli në stilin e burgut për të nxjerrë në pah gjyqin e tij të vazhdueshëm për korrupsion.

Protesta u mbajt nën sloganin "Falje = Republikë Bananeje", me pjesëmarrësit që qëndronin pas një grumbulli të madh bananesh të mbuluar me një tabelë të etiketuar "Falje" në një referencë satirike ndaj kërkesës për falje.

Protesta erdhi mes reagimeve të forta politike dhe publike ndaj veprimit të Netanyahut i cili i kërkoi presidentit të përfundojë gjyqin e tij shumëvjeçar. Më parë, udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid i kërkoi Herzog-ut të mos i jepte falje nëse Netanyahu nuk pranon fajësinë dhe nuk tërhiqet nga jeta politike.

Netanyahu 76-vjeç kërkoi zyrtarisht falje të dielën pa pranuar fajin, pavarësisht ligjit izraelit që kërkon një rrëfim përpara se presidenti të mund të lëshojë një falje.

Tre rastet e tij të korrupsionit përfshijnë "Rastin 1000", i cili akuzon Netanyahun dhe anëtarët e familjes për marrjen e dhuratave të shtrenjta nga biznesmenët në këmbim të favoreve, "Rastin 2000", i cili përqendrohet në marrëveshjet e dyshuara me botuesin e Yedioth Ahronoth, Arnon Mozes, për të siguruar mbulim pozitiv dhe "Rastin 4000", i cili përqendrohet në përfitimet e dyshuara rregullatore për pronarin e telekomunikacionit Bezeq, Shaul Elovitch, në këmbim të mbulimit pozitiv në faqen e lajmeve "Walla".

Përtej akuzave të brendshme, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër arresti për Netanyahun më 21 nëntor 2024, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, ku më shumë se 70 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 170 mijë të tjerë janë plagosur që nga tetori 2023.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.