Bota

Izraeli zgjeron murin kufitar përballë fshatrave të rrënuara libaneze

Seksione të mëdha të fshatrave kufitare libaneze mbeten në rrënoja, me rrugë bosh dhe shtëpi të braktisura, pasi banorëve të zhvendosur ende nuk u lejohet të kthehen

Abdulbesar Ademi  | 22.11.2025 - Përdıtësım : 22.11.2025
Izraeli zgjeron murin kufitar përballë fshatrave të rrënuara libaneze Foto: Mostafa Alkharouf/AA

Izrael

Izraeli po zgjeron dhe po përforcon një mur përgjatë kufirit me Libanin, ku sulmet që nga tetori i vitit 2023 shkatërruan fshatra dhe i detyruan banorët të largohen, sipas autoriteteve lokale të cilat thonë se rindërtimi në anën libaneze mbetet i bllokuar teksa Izraeli mban kontrollin në pesë zona pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi, transmeton Anadolu.

Seksione të mëdha të fshatrave kufitare libaneze mbeten në rrënoja, me rrugë bosh dhe shtëpi të braktisura, pasi banorëve të zhvendosur ende nuk u lejohet të kthehen.

Sot, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 331 persona janë vrarë dhe 945 janë plagosur nga zjarri izraelit që kur armëpushimi hyri në fuqi më 27 nëntor të vitit 2024.

Dje, Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) tha se ka regjistruar më shumë se 10 mijë shkelje ajrore dhe tokësore nga Izraeli brenda territorit libanez që nga armëpushimi.

UNIFIL tha se të gjitha shkeljet iu raportuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tensionet janë rritur në Libanin jugor prej javësh, me ushtrinë izraelite që intensifikon sulmet ajrore pothuajse çdo ditë brenda territorit libanez, duke shënjestruar anëtarët dhe infrastrukturën e Hezbollahut.

Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 4 mijë njerëz dhe ka plagosur gati 17 mijë të tjerë në sulmet ndaj Libanit, të cilat filluan në tetor të vitit 2023 dhe u shndërruan në një ofensivë të plotë në shtator të vitit 2024.

Sipas armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga Libani jugor këtë janar, por në vend të kësaj u tërhoq vetëm pjesërisht dhe vazhdon të mbajë një prani ushtarake në pesë pika kufitare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.