Bota

Izraeli vret mbi 90 palestinezë gjatë 2 ditëve, pavarësisht thirrjeve për armëpushim

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë më shumë se 90 palestinezë gjatë dy ditëve të fundit, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim

Saber Ghanem Ibrahım Eıd, Ömer Erdem  | 06.10.2025 - Përdıtësım : 07.10.2025
Izraeli vret mbi 90 palestinezë gjatë 2 ditëve, pavarësisht thirrjeve për armëpushim Foto: Abed Rahim Khatib/AA

Gaza/Stamboll

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë më shumë se 90 palestinezë gjatë dy ditëve të fundit, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, thanë autoritetet lokale të dielën, transmeton Anadolu.

Forcat izraelite kryen 131 sulme ajrore dhe artilerie në zona me popullsi të dendur të civilëve dhe personave të zhvendosur në Gaza, duke vrarë 94 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, me 61 viktima në qytetin e Gazës, tha Zyra për media e Qeverisë së Gazës në një deklaratë në Telegram.

"Ky krim i vazhdueshëm kryhet në kuadër të gjenocidit të vazhdueshëm kundër popullit tonë palestinez dhe konfirmon se pushtimi shpërfill të gjitha thirrjet ndërkombëtare për ulje të tensioneve, duke këmbëngulur në vazhdimin e vrasjes sistematike të civilëve dhe shkatërrimin e mjeteve të jetesës në Rripin e Gazës", thekson deklarata.

Më tej në deklaratë, administratës amerikane dhe komunitetit ndërkombëtar i bëhet thirrje të ndërmarrin "veprime serioze, efektive dhe të menjëhershme" për ndalimin e agresionit dhe sigurimin e armëpushimit.

Të shtunën, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai është gati të zbatojë fazën e parë të planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite.

Raportet ushtarake dhe mediatike izraelite pretendojnë se udhëheqja politike ka urdhëruar ndërprerjen e pushtimit të qytetit të Gazës dhe "reduktimin e aktivitetit ushtarak në Rripin e Gazës vetëm në operacione mbrojtëse".

Më 29 shtator, Trump zbuloi një plan 20-pikësh për Rripin e Gazës, përfshirë lirimin e pengjeve izraelite brenda 72 orëve nga miratimi i Izraelit, një armëpushim dhe çarmatimin e grupit palestinez Hamas.

Tel Avivi vlerëson se 48 pengje izraelite kanë mbetur në Gaza, përfshirë 20 të gjallë. Ndërkohë, Izraeli po mban rreth 11.100 robër palestinezë, shumë prej të cilëve përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, sipas grupeve të të drejtave të njeriut palestineze dhe izraelite.

Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 67 mijë palestinezë në Rripin e Gazës ndërsa pjesa më e madhe e infrastrukturës së saj është shndërruar në rrënoja.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın