Bota

Izraeli vret 2 gazetarë të Al Jazeera-s në qytetin e Gazës

Anas al-Sharif dhe Mohamed Qraiqea janë ndër 5 gazetarët e Al Jazeera-s të vrarë në sulmin ndaj tendës së tyre në Gaza.

Rania R.a. Abushamala  | 11.08.2025 - Përdıtësım : 12.08.2025
Izraeli vret 2 gazetarë të Al Jazeera-s në qytetin e Gazës

Stamboll

Gazetarët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohamed Qraiqea, u vranë të dielën, së bashku me tre gazetarë të tjerë të Al Jazeera-s, në një sulm izraelit që synonte një tendë gazetarësh pranë spitalit "Al-Shifa" në qytetin perëndimor të Gazës, sipas Zyrës së medias në Gaza, transmeton Anadolu.

Kanali me seli në Katar, Al Jazeera citoi drejtorin e kompleksit mjekësor "Al-Shifa" në Gaza, i cili tha: "Korrespondentët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohamed Qraiqea, ranë dëshmorë në një sulm izraelit në tendën e tyre".

Rrjeti Medial Al Jazeera herët të hënën dënoi vrasjen "e planifikuar" të gazetarëve dhe kameramanëve të tij në Rripin e Gazës, duke e quajtur atë "një përpjekje të dëshpëruar për të heshtur zërat përpara pushtimit të Gazës".

"Urdhri për të vrarë Anas al-Sharif, një nga gazetarët më të guximshëm të Gazës dhe kolegët e tij është përpjekje e dëshpëruar për të heshtur zërat përpara pushtimit të Gazës", thuhet në deklaratë.

"Vrasja e gazetarëve tanë nga forcat pushtuese izraelite është një tjetër sulm i hapur dhe i qëllimshëm ndaj lirisë së shtypit", thuhet më tej.

Zyra e medias në Gaza tha se numri i gazetarëve të vrarë që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Gaza më 7 tetor 2023, është rritur në 237, pas vrasjes së Al-Sharif dhe Qraiqea, së bashku me tre gazetarë të tjerë.

Ajo identifikoi gazetarët e tjerë të vrarë si fotoreporterët, Ibrahim Dahir dhe Moumin Alaywa dhe një fotoreporter ndihmës, Mohammed Noufal.

Drejtori i kompleksit mjekësor "Al-Shifa" në qytetin e Gazës, dr. Mohammed Abu Salmiya për Anadolu tha se vdekjet nga sulmi në tendën përpara portës së kompleksit janë rritur në 7, përfshirë 5 gazetarë.

Në testamentin e tij, të cilin ai kërkoi të publikohet pas vdekjes së tij, korrespondenti i Al Jazeera, Anas al-Sharif, shkroi: "Ky është testamenti im dhe mesazhi im i fundit. Nëse këto fjalë ju arrijnë, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë mua dhe të heshtë zërin tim".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın