Izraeli sulmon selinë e Gjysmëhënës së Kuqe në Gaza, vritet një pjesëtar i stafit
Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka lënë po ashtu të plagosur tre persona.

Ankara
Një sulm ajror izraelit shënjestroi selinë e Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Khan Younis të Gazës sot në mëngjes, duke vrarë një anëtar të stafit dhe duke plagosur tre të tjerë, tha organizata në një deklaratë, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës, sulmi goditi katin e parë të ndërtesës, duke i vënë flakën dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sulmi vjen pasi i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff vizitoi Gazën për të inspektuar përpjekjet për të sjellë ushqim në territorin e shkatërruar palestinez, ku vdekjet nga uria dhe kequshqyerja janë rritur ditët e fundit.
“Gaza tani është në prag të një urie të plotë. Njerëzit po vdesin nga uria jo sepse ushqimi nuk është i disponueshëm, por sepse qasja është e bllokuar, sistemet lokale agro-ushqimore janë shembur dhe familjet nuk mund të përballojnë më as mjetet më themelore të jetesës”, ka thënë Qu Dongyu, kreu i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 60.400 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.