Izraeli sulmon palestinezët që përpiqen të kalojnë në veri të Gazës
Ushtria izraelite nisi një sulm për të parandaluar palestinezët që përpiqeshin të kalonin nga jugu në veri të Rripit të Gazës, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim

Ankara
Ushtria izraelite nisi një sulm për të parandaluar palestinezët që përpiqeshin të kalonin nga jugu në veri të Rripit të Gazës, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim në Gaza, raporton Anadolu.
Sipas korrespondentit të Anadolu-s, shumë palestinezë të zhvendosur me forcë nga sulmet izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur pas negociatave në Kajro dhe që pritej të hynte në fuqi, kanë tentuar të kalojnë nga jugu në veri të Gazës.
Ushtria izraelite shënjestroi palestinezët që përpiqeshin të kalonin në qytetin e Gazës nëpërmjet rrugës "Rashid" në bregdet. Ushtarët izraelitë bllokuan rrugën "Rashid" dhe bombarduan zonën ku palestinezët po përpiqeshin të kalonin në veri.
Palestinezët ikën nga zona në panik si rezultat i sulmit ndërsa ushtarët izraelitë vazhdojnë të bllokojnë hyrjen në veri. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës nuk kanë lëshuar ende një deklaratë në lidhje me ndonjë viktimë.
- Granatimet në veri të Gazës
Ndërkohë, ushtria izraelite nisi sulme të shumta ajrore në veri të Gazës mëngjesin e sotëm.
Sipas Anadolu-s në anën izraelite të kufirit të Gazës, sulmet u intensifikuan në qytetin e Gazës dhe në Gazën veriperëndimore sot në mëngjes.
Gjithashtu, ka patur rritje të ndjeshme të aktivitetit ushtarak në rajon pas armëpushimit të parashikuar. Tanke dhe automjete të shumta të blinduara të ushtrisë izraelite janë larguar nga Gaza dhe kanë kaluar në Izrael.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi miratuan fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza pas negociatave në Egjipt.
Qeveria e Tel Avivit deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi pas miratimit nga kabineti izraelit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.