Bota

Izraeli shpall "non grata" diplomatin e Afrikës së Jugut, urdhëron largimin brenda 72 orëve

Ky veprim vjen pas vendimit të Pretorias për të dëbuar të ngarkuarin me punë të Izraelit

Mohammad Sıo  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Izraeli shpall "non grata" diplomatin e Afrikës së Jugut, urdhëron largimin brenda 72 orëve

Kuds/Stamboll

KUDS/STAMBOLL (AA) – Izraeli e shpalli përfaqësuesin e lartë diplomatik të Afrikës së Jugut “persona non grata” dhe i urdhëroi atij të largohet nga vendi brenda 72 orësh, si përgjigje reciproke ndaj dëbimit nga Pretoria të të ngarkuarit me punë të Izraelit, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se vendimi është marrë nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm Gideon Saar, duke përmendur atë që e cilësoi si “sulme të rreme” të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në forume ndërkombëtare dhe hap “të njëanshëm dhe të pabazë” ndaj të ngarkuarit me punë të Izraelit në Pretoria.

“Përfaqësuesi i lartë diplomatik i Afrikës së Jugut, Shaun Edward Byneveldt, është shpallur ‘persona non grata’ dhe duhet të largohet nga Izraeli brenda 72 orësh”, thuhet në deklaratën e ministrisë, e cila shtoi se “hapa shtesë do të merren në konsideratë në kohën e duhur”.

Më herët sot, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit i Afrikës së Jugut njoftoi se ambasadori në detyrë i Izraelit, Ariel Seidman, është shpallur “persona non grata” për shkak të “një sërë shkeljesh të papranueshme të normave dhe praktikës diplomatike, që përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Afrikës së Jugut”, përfshirë deklarata të konsideruara fyese ndaj presidentit Cyril Ramaphosa.

Pretoria i dha gjithashtu Seidmanit 72 orë afat për t’u larguar nga vendi.

Seidman ka shërbyer si i ngarkuar me punë i Izraelit që nga nëntori 2023, kur Izraeli e tërhoqi ambasadorin e tij pasi Afrika e Jugut i tërhoqi diplomatët nga Tel Avivi për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.

Afrika e Jugut, e cila mban marrëdhënie si me Izraelin, ashtu edhe me Palestinën, në dhjetor 2023 ngriti një padi kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), duke e akuzuar për shkelje të detyrimeve sipas Konventës për Gjenocidin për veprimet e tij kundër palestinezëve në Gaza.

Që atëherë, gjykata ka nxjerrë një sërë masash të përkohshme duke urdhëruar Izraelin të ndërmarrë hapa për të parandaluar aktet e gjenocidit.

Më shumë se 71.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 171.000 të tjerë janë plagosur në luftën izraelite që nga tetori 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın