Izraeli shkatërron pallatin historik të Gazës, mbi 20.000 artefakte të zhdukura ose plaçkitura
Qasr al-Basha, një pallat i periudhës mamluke i ndërtuar mbi një lokacion trashëgimie të UNESCO-s që daton nga viti 800 para erës së re, nuk u ka shpëtuar sulmeve izraelite
Shkup
Trashëgimia historike dhe kulturore e Gazës nuk u ka shpëtuar bombardimeve izraelite gjatë luftës dyvjeçare të Tel Avivit, me mbi 20.000 objekte të rralla që variojnë nga epoka parahistorike deri te periudha osmane të zhdukura ose plaçkitura, raporton Anadolu.
“Forcat izraelite kanë shkatërruar sistematikisht lokacionet arkeologjike të Gazës si pjesë e një politike për të fshirë identitetin palestinez”, tha Ismail al-Thawabteh, drejtori i Zyrës Mediatike të Qeverisë së Gazës.
Sipas të dhënave zyrtare, forcat izraelite kanë shkatërruar totalisht ose pjesërisht më shumë se 316 lokacione arkeologjike dhe ndërtesa në Rripin e Gazës, shumica të periudhës së mamlukëve dhe asaj osmane, ndërsa disa datojnë nga shekujt e hershëm islamë dhe periudha bizantine.
Qasr al-Basha, një pallat i periudhës mamluke i ndërtuar mbi një lokacion trashëgimie të UNESCO-s që daton nga viti 800 para erës së re, nuk u ka shpëtuar sulmeve izraelite. Sipas Hamouda Al-Dahdarit, ekspert për trashëgiminë kulturore në Qendrën për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Betlehem, 70 për qind e pallatit është dëmtuar nga sulmet.
- Plaçkitja
Teknikët dhe punëtorët vazhdojnë kërkimin e objekteve të shpërndara nën rrënoja, duke përdorur mjete të thjeshta për të rikuperuar dhe ruajtur mbetjet e identitetit historik të Gazës.
“Ajo që ndodhi me trashëgiminë e Gazës nuk ishte vetëm shkatërrim; ishte plaçkitje e organizuar, një praktikë e kriminalizuar sipas ligjit ndërkombëtar dhe një sulm ndaj trashëgimisë kulturore globale”, tha Thawabteh.
Ai shtoi se mbi 20.000 objekte të rralla të muzeut, që variojnë nga epokat parahistorike deri te periudha osmane, janë zhdukur gjatë luftës izraelite.
Dahdar konfirmoi gjithashtu zhdukjen e mijëra objekteve të rralla dhe të ndryshme pas sulmeve dhe shkatërrimit të lokacionit nga forcat izraelite.
“Çdo objekt është historikisht i rëndësishëm dhe përfaqëson një kapitull të historisë civilizuese të Palestinës”, tha Dahdar, duke e quajtur plaçkitjen “një krim të rëndë kulturor që prek identitetin kombëtar dhe trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit”.
Lokacioni kishte pësuar shkatërrim të gjerë edhe gjatë operacioneve të mëparshme izraelite përpara tërheqjes së vitit 1994. Pas largimit izraelit, Autoriteti Palestinez restauroi pallatin dhe e ktheu në muze, duke shfaqur koleksione të çmuara historike.
Izraeli pushtoi Rripin e Gazës në vitin 1967 dhe u tërhoq në 1994 sipas Marrëveshjeve të Oslos me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO). Në vitin 2005, ai shkatërroi vendbanimet e tij kolone në Gaza sipas “Planit” unilateral të “Tërheqjes”.
Edhe gjatë luftës më të fundit që filloi në tetor 2023, pallati pësoi shkatërrim dhe plaçkitje të objekteve arkeologjike.
Mbi 69.000 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 170.700 të tjerë janë plagosur në luftën izraelite që shkatërroi Rripin e Gazës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
