Izraeli shkatërron një ndërtesë 15-katëshe në Gaza ku strehoheshin të zhvendosurit
Ushtria izraelite goditi me avionë luftarakë një ndërtesë 15-katëshe në lagjen Nasr të Qytetit të Gazës, ku qindra palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Qytetit të Gazës kishin gjetur strehim në ndërtesë

Gaza
Ushtria izraelite menjëherë pasi u lëshua një paralajmërim për evakuim, bombardoi dhe shkatërroi një ndërtesë 15-katëshe në veri të Rripit të Gazës, ku qindra palestinezë të zhvendosur po strehoheshin, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, ndau një hartë ku tregoheshin disa ndërtesa në Qytetin e Gazës të lyera me "të kuqe".
Adraee deklaroi se ndërtesat në fjalë së shpejti do të goditeshin nga sulmet ajrore dhe bëri thirrje për "evakuimin" e tyre.
Sipas asaj që ka përcjellë gazetari i Agjencisë Anadolu në zonë, ushtria izraelite goditi me avionë luftarakë një ndërtesë 15-katëshe në lagjen Nasr të Qytetit të Gazës.
U transmetua se nga zona u ngrit tym, dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë mundur të mbërrijnë në vendngjarje për shkak të rrethimit të ushtrisë izraelite dhe hapjes së zjarrit ndaj çdo gjëje që lëviz.
U raportua se qindra palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Qytetit të Gazës kishin gjetur strehim në ndërtesën 15-katëshe të shkatërruar nga avionët luftarakë izraelitë.
Izraeli, kërkon që 1 milion palestinezë në qytetin e Gazës të migrojnë në rajonin jugor të Al-Mawasi, të cilin e pretendon si një "zonë të sigurt humanitare". Kohët e fundit Izraeli ka shkatërruar ndërtesa të larta në qytet me sulme ajrore.
Si pasojë e goditjes së këtyre ndërtesave theksohet se mijëra palestinezë kanë mbetur pa strehë.