Izraeli rinovon urdhrin për libanezët që të evakuohen nga zonat në jug të lumit Zahrani
Ushtria izraelite rinovoi paralajmërimin e saj për banorët në jug të Libanit që të evakuojnë zonat në jug të lumit Zahrani ndërsa Tel Avivi vazhdon ofensivën e tij në vendin arab
Stamboll
Ushtria izraelite sot rinovoi paralajmërimin e saj për banorët në jug të Libanit që të evakuojnë zonat në jug të lumit Zahrani ndërsa Tel Avivi vazhdon ofensivën e tij në vendin arab, transmeton Anadolu.
"Sulmet janë duke vazhduar ndërsa ushtria vepron me forcë të konsiderueshme në zonë", tha zëdhënësi ushtarak Avichay Adraee në një deklaratë në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Ai u bëri thirrje banorëve të evakuojnë shtëpitë e tyre menjëherë dhe të lëvizin në veri të lumit Zahrani për sigurinë e tyre, duke përmendur aktivitetet e Hezbollahut në zonë. Zëdhënësi paralajmëroi se banorët që mbeten në jug të lumit, ose lëvizin drejt atyre zonave, mund të rrezikojnë jetën e tyre.
Izraeli ka goditur Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga një sulm ndërkufitar nga grupi Hezbollah më 2 mars. Autoritetet libaneze thonë se të paktën 1.094 persona janë vrarë dhe 3.119 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.
Përshkallëzimi aktual erdhi mes një ofensive të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, e cila ka vrarë më shumë se 1.340 njerëz që nga 28 shkurti. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, bazat amerikane dhe vendet e Gjirit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
