Izraeli pretendon se një trup i kthyer nga Hamasi nuk përputhet me pengjet
Hamasi i ktheu Izraelit 4 trupa të tjerë të martën sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza
Stamboll
Ushtria izraelite pretendoi se një nga katër trupat e kthyer nga grupi palestinez Hamas një ditë më parë sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza nuk përputhet me asnjë nga pengjet, transmeton Anadolu.
“Pas përfundimit të ekzaminimeve në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore, trupi i katërt i dorëzuar Izraelit nga Hamasi nuk përputhet me asnjë nga pengjet", tha një deklaratë ushtarake.
Ushtria izraelite i bëri thirrje Hamasit “të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të kthyer pengjet që kanë ndërruar jetë".
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga grupi palestinez mbi pretendimin izraelit.
Hamasi dorëzoi mbetjet e katër pengjeve të tjera izraelite të martën, një ditë pasi liroi 20 pengje të gjallë izraelite dhe transferoi trupat e katër pengjeve në këmbim të gati 2.000 të burgosurve palestinezë, sipas fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Katër trupa të tjerë pritet të kthehen në Izrael të mërkurën, sipas transmetuesit publik të Izraelit KAN.
Javën e kaluar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të një plani që ai paraqiti më 29 shtator për të sjellë një armëpushim në Gaza, për të liruar të gjitha pengjet izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe për një tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës. Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi të premten.
Faza e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza, pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 68 mijë palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë kryesisht të pabanueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
