Izraeli pranon "në heshtje" se ka armatosur një grup milicësh "për të cilët pretendohet se është i lidhur me DEASH-in"
Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Lieberman pretendon se Izraeli po armatos milicët që bashkëpunojnë me të në Rripin e Gazës dhe që veprojnë kundër Hamasit

Kuds
Zyra e kryeministrit izraelit ka pranuar "në heshtje, me nënkuptim" pretendimin e Avigdor Lieberman, kreut të partisë opozitare "Izraeli, Shtëpia Jonë", se një grup milicësh në Gaza i lidhur me DEASH-in po armatoset nga qeveria e Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për kanalin televiziv shtetëror izraelit KAN, ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Lieberman pretendon se Izraeli po armatos milicët që bashkëpunojnë me të në Rripin e Gazës dhe që veprojnë kundër Hamasit.
"Qeveria izraelite me urdhër të kryeministrit (Benjamin Netanyahu) po transferon armë te një grup kriminelësh të identifikuar me DEASH-in", tha Lieberman duke shtuar se ky veprim është kryer pa vendim të kabinetit, me urdhër të Netanyahut dhe me dijeninë e drejtorit të agjencisë së inteligjencës vendase Shin-Bet (Shabak) dhe se ai nuk e di nëse shefi i shtabit është apo jo në dijeni të çështjes.
Teksa Shin-Bet nuk iu përgjigj akuzave, në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, akuzat e Lieberman u pranuan "në heshtje, me nënkuptim".
Në deklaratën e lëshuar me një fjali të vetme pas pretendimeve të Liebermanit thuhet "Izraeli me këshillën e të gjithë udhëheqësve të institucioneve të tij të sigurisë, punon për të mposhtur Hamasin përmes mjeteve dhe rrugëve të ndryshme".
Më parë këtë javë, një grup i armatosur në Rripin e Gazës i udhëhequr nga një person me emrin Yasser Abu Shabab publikoi një video duke deklaruar se ata kishin nën kontroll një zonë në Rafah të cilën ushtria izraelite e ka pushtuar dhe e ka shpallur "zonë të sigurt".
Shabab i ftoi palestinezët të vinin në zonën në një pikë afër kufirit me Egjiptin, duke thënë se do të kryhej shpërndarja e ndihmës humanitare. Sipas mediave palestineze, Abu Shabab dikur ka qenë udhëheqës i një grupi kriminal të organizuar dhe se ai po punon në bashkëpunim me ushtrinë izraelite.
Burimet e Hamasit akuzojnë njerëzit e armatosur të Abu Shabab-it, se nën mbikëqyrjen e ushtrisë izraelite po plaçkisin ndihmën humanitare që vjen në rajon. Plani i forcave izraelite të sigurisë për të armatosur fiset dhe grupet me qëllim për t'i dhënë fund administratës së Hamasit në Gaza u pasqyrua në media.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.