Izraeli po përgatitet të legalizojë 5 vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar
Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, e quan këtë veprim pjesë të përpjekjeve "për të shtypur idenë e shtetit palestinez"
Stamboll
Qeveria izraelite dha licenca të mërkurën për të legalizuar pesë pika të paautorizuara vendbanimesh në Bregun Perëndimor të pushtuar, një veprim i përshëndetur nga ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, për dobësimin e perspektivave për një shtet palestinez, transmeton Anadolu.
Smotrich, i cili drejton partinë e ekstremit të djathtë, Sionizmit Fetar, njoftoi vendimin në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, duke thënë se qeveria i caktoi "kode zyrtare vendbanimesh" Homesh në Bregun Perëndimor verior dhe katër pika të tjera: Yondif në kodrat Khalil (Hebron), Jibot në bllokun Gush Etzion në jug të Kudsit, Betron në Luginën e Jordanit dhe Kedom Arava në veri.
Ai tha se qeveria izraelite lëshoi 20 kode të reja vendbanimesh gjatë muajit të kaluar, duke përfunduar rregullimin e tyre administrativ.
Një kod vendbanimi është një përcaktim administrativ dhe ligjor izraelit që njeh ekzistencën e një pike të caktuar dhe e integron atë në planifikimin dhe shërbimet zyrtare.
Ministri i Financave e përshkroi këtë veprim si përpjekje të vazhdueshme "për të shtypur idenë e një shteti palestinez", duke shtuar se aktiviteti i vendbanimeve në Bregun Perëndimor vazhdon të zgjerohet.
Autoritetet palestineze për dekada të tëra i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilin Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.
Që kur Izraeli nisi luftën e tij në Gaza më 7 tetor 2023, zyrtarët palestinezë thonë se masat izraelite që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor janë intensifikuar, duke përfshirë prishjen e shtëpive, zhvendosjen me forcë dhe zgjerimin e vendbanimeve.
Rreth 500.000 kolonë të paligjshëm izraelitë jetojnë në vendbanime në të gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa 250.000 të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokë në Kudsin Lindor të pushtuar, sipas grupit të krahut të majtë izraelit Paqe Tani.
Forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.103 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11.000 dhe kanë ndaluar rreth 21.000 që nga tetori 2023.
Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
