Izraeli parashikon dështimin e bisedimeve SHBA-Iran, frikësohet se raketat balistike do të lihen jashtë rendit të ditës
Witkoff pritet të udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet e Stambollit, ndërsa Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi do të kryesojë palën iraniane
Kuds/Stamboll
Analistët ushtarakë izraelitë presin dështimin e bisedimeve të ardhshme SHBA-Iran, që planifikohen të fillojnë të premten në Stamboll, duke paralajmëruar se negociatat nuk kanë gjasa të adresojnë programin e raketave balistike të Iranit, të cilin Tel Avivi e sheh si një kërcënim të madh, transmeton Anadolu.
Zyrtarët izraelitë pritet të diskutojnë bisedimet e planifikuara midis Washingtonit dhe Teheranit me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, i cili pritet të mbërrijë në Izrael më vonë të martën.
Witkoff pritet të udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet e Stambollit, ndërsa Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi do të kryesojë palën iraniane.
SHBA dhe Izraeli e konsiderojnë Iranin si kundërshtarin e tyre kryesor rajonal dhe e akuzojnë atë se kërkon të zhvillojë armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, duke përfshirë prodhimin e energjisë elektrike.
Izraeli, i cili besohet gjerësisht të jetë i vetmi vend në rajon me një arsenal bërthamor, gjithashtu pretendon se përpjekjet e Iranit për të rindërtuar programin e tij të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, të dëmtuara gjatë luftës më të fundit, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë izraelite.
Në qershor 2025, Izraeli me mbështetjen e SHBA-së, nisi një fushatë ushtarake 12-ditore kundër Iranit. Teherani u përgjigj duke synuar zona të mëdha brenda Izraelit përpara se SHBA të shpallnin një armëpushim.
Avi Ashkenazi, një analist ushtarak për gazetën izraelite "Maariv", tha se pjesëmarrja iraniane në bisedime ngre dyshime rreth rezultatit të tyre.
"Pyetja e madhe është nëse iranianët janë të gatshëm të tregojnë dorëzim të plotë duke dorëzuar uraniumin e pasuruar, duke çmontuar projektin bërthamor, duke anuluar programin e raketave balistike dhe duke ndaluar mbështetjen për grupet e armatosura në Jemen, Irak, Siri, Liban dhe Gaza," shkroi Ashkenazi të martën.
- Gatishmëria izraelite
Ashkenazi tha se Izraeli beson se SHBA-të mund të nisin përfundimisht një sulm ushtarak kundër Iranit dhe do të lejonin Izraelin që të vepronte mbi territorin iranian nëse sulmohej.
"Izraeli kohët e fundit ka ndarë informacione të gjera me Washingtonin, veçanërisht mbi aftësitë e raketave balistike të Iranit," tha ai.
Analisti izraelit vuri në dukje se sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit pësuan dëme të rënda gjatë sulmit izraelit qershorin e kaluar, ndërsa Teherani ruan kapacitet të përparuar industrial dhe po punon për rindërtim.
"Izraeli beson se Irani mund të ketë nxjerrë mësime nga konflikti, duke kërkuar që Izraeli të përmirësojë përgatitjen e vet për një përballje të ardhshme," shtoi Ashkenazi.
"Ushtria izraelite ka thënë se bisedimet në Turqi nuk e ulin nivelin e gatishmërisë së saj si për mbrojtje ashtu edhe për sulm", tha ai.
Në anën tjetër Amos Harel, një analist ushtarak tha për gazetën "Haaretz" se bisedimet përfaqësojnë shansin e fundit të Iranit për të shmangur një përballje me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, por paralajmëroi se mbeten boshllëqe të konsiderueshme.
Harel kujtoi ngjarjet në qershor 2025, kur një takim i planifikuar SHBA-Iran dështoi "pasi Trump mashtroi zyrtarët iranianë dhe i dha Izraelit dritën jeshile për të synuar vendet bërthamore iraniane".
"Rrethanat sot janë disi të ndryshme", shkroi Harel, duke vënë në dukje mbështetjen publike të Trump për protestuesit iranianë dhe vendosjen pothuajse të plotë të forcave amerikane pranë Gjirit, duke përfshirë asetet detare dhe avionët luftarakë, megjithëse priten ende sisteme shtesë të mbrojtjes nga raketat.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
