Izraeli në gatishmëri të lartë ndërsa SHBA-ja shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj Iranit
Zëdhënësi ushtarak thotë se ushtria është "e përgatitur dhe në gatishmëri" në dritën e një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit
Kuds
Ushtria izraelite ka rritur nivelin e përgatitjes mes raportimeve në rritje se SHBA-ja mund të nisë një sulm ushtarak ndaj Iranit në ditët në vijim, transmeton Anadolu.
Në orët e fundit, disa media amerikane kanë raportuar se forcat amerikane janë të përgatitura të kryejnë një sulm të mundshëm ndaj Iranit deri në fund të javës, megjithëse presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha se ushtria është "e përgatitur dhe në gatishmëri" në dritën e mundësisë së një sulmi të SHBA-së ndaj Iranit në të ardhmen e afërt, sipas KAN.
"Nëse sulmohemi, do të përgjigjemi me forcë", tha ai.
Transmetuesi raportoi se nivelet e gatishmërisë janë rritur gjithashtu përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin në rast të një përshkallëzimi të mundshëm që përfshin Hezbollahun në rast të një sulmi ndaj Iranit.
Ai shtoi se shërbimet e emergjencës janë udhëzuar të përgatiten për mundësinë e përshkallëzimit në shumë fronte.
Zyrtarë izraelitë të paidentifikuar u cituan të kenë thënë se një gjendje e lartë gatishmërie mbizotëron në të gjithë Izraelin, ndërsa parashikon pasojat e mundshme nga çdo veprim ushtarak amerikan. Ata thanë se SHBA-ja nuk do të ndërmarrë një veprim të tillë pa koordinim paraprak me Izraelin.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se ndërsa Trump favorizon një zgjidhje diplomatike, "mundësia e një sulmi ndaj Iranit mbetet në tryezë", duke i bërë thirrje publikut të jetë i përgatitur për të gjitha skenarët.
Danon nuk pranoi të thoshte nëse Izraeli do të merrte njoftim paraprak për ndonjë veprim ushtarak amerikan, duke deklaruar se koordinimi midis dy vendeve mbetet në "nivelin më të lartë".
Zhvillimet vijnë dy ditë pasi Uashingtoni dhe Teherani zhvilluan një raund të ri bisedimesh indirekte në Gjenevë nën ndërmjetësimin e Omanit.
Irani tha se palët ranë dakord për një sërë parimesh udhëzuese, ndërsa SHBA-ja tha se detaje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
