Bota

Izraeli njofton fillimin e ofensivës ndaj Hezbollahut mes përshkallëzimit rajonal

Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir njoftoi fillimin e një "fushate ofensive" kundër grupit libanez Hezbollah, e cila, sipas tij, mund të zgjasë disa ditë

Abdel Ra'ouf D. A. R. Arnaout  | 02.03.2026 - Përdıtësım : 02.03.2026
Izraeli njofton fillimin e ofensivës ndaj Hezbollahut mes përshkallëzimit rajonal

Kuds

Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir njoftoi fillimin e një "fushate ofensive" kundër grupit libanez Hezbollah, e cila, sipas tij, mund të zgjasë disa ditë, transmeton Anadolu.

"Ne kemi filluar një fushatë ofensive kundër Hezbollahut dhe duhet të jemi të përgatitur për disa ditë luftimesh", tha Zamir në një deklaratë.

"Ne nuk jemi vetëm në linjat mbrojtëse. Ne po kalojmë në ofensivë", shtoi ai duke theksuar nevojën për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse dhe për të vazhduar valët e sulmeve ajrore.

Njoftimi vjen mes përshkallëzimit në terren të hënën, ndërsa ushtria izraelite kreu një seri sulmesh ajrore në periferitë jugore të Bejrutit dhe në Libanin jugor.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se sulmet ajrore izraelite në periferitë jugore dhe në jug kanë vrarë të paktën 31 persona dhe kanë plagosur 149 të tjerë, sipas të dhënave të bazuara në shifra jo përfundimtare.

Më herët të hënën, ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar vendet e Hezbollahut në të gjithë Libanin në përgjigje të zjarrit me raketa të lëshuar nga grupi drejt Izraelit verior.

Hezbollahu tha në një deklaratë se ka shënjestruar një vendndodhje ushtarake në Izraelin verior me një breshëri raketash dhe një tufë dronësh, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj Libanit dhe pasi një fushatë e përbashkët ushtarake SHBA-Izrael e nisur të shtunën vrau disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.