Izraeli ndërpret ujin dhe energjinë elektrike në selinë e UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar
Ministri i Energjisë i Izraelit thotë se ai personalisht mbikëqyri mbylljen e shërbimeve, përsërit akuzat kundër agjencisë së OKB-së
Kuds
Autoritetet izraelite kanë ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në selinë e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Kudsin Lindor të pushtuar, sipas ministrit të energjisë të Izraelit, transmeton Anadolu.
Eli Cohen tha se ai personalisht mbikëqyri ndërprerjen e shërbimeve në kompleksin e UNRWA-s, duke konfirmuar se si shërbimet e energjisë elektrike ashtu edhe ato të ujit ishin ndërprerë.
“Me fjalë dhe me vepra, unë kam mbyllur rubinetin e UNRWA-s”, shkroi ai në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X të mërkurën në mbrëmje.
Cohen më parë i tha një stacioni radiofonik izraelit se po shkonte në Kudsin Lindor për të dëshmuar personalisht ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike në objektet e agjencisë UNRWA.
"Nuk ka vend për UNRWA-n në Shtetin e Izraelit", tha Cohen, duke përsëritur pretendimet e kahershme të Izraelit se agjencia e OKB-së është e lidhur me Hamasin, pretendime që UNRWA dhe OKB-ja i kanë mohuar vazhdimisht.
Në fund të vitit 2024, parlamenti i Izraelit(Knesset) miratoi një vendim që ndalonte UNRWA-n të vepronte në Kudsin Lindor të pushtuar. Në fillim të vitit 2025, qeveria izraelite urdhëroi agjencinë të lironte selinë e saj në lagjen Sheikh Jarrah.
Më 22 janar 2026, forcat izraelite bastisën kompleksin e UNRWA-s në Kudsin Lindor, pushtuan vendin dhe shkatërruan ndërtesat brenda tij, duke pretenduar se toka i përket Izraelit, një pohim i hedhur poshtë nga agjencia.
E themeluar në vitin 1949 me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, UNRWA ka mandatin të ofrojë ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët palestinezë në pesë zona veprimi: Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Agjencia mbështetet në donacionet nga shtetet anëtare të OKB-së dhe mbetet ofruesi kryesor i ndihmës humanitare për refugjatët palestinezë, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe strehimin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
