Bota

Izraeli ndalon aktivitetet e Mjekëve Pa Kufij në Gaza

Në një deklaratë të ministrisë izraelite thuhet se MSF ka refuzuar “të dorëzojë listat e punonjësve lokal, një kërkesë që zbatohet për të gjitha organizatat humanitare që operojnë në rajon”

Rania R.a. Abushamala  | 01.02.2026 - Përdıtësım : 01.02.2026
Izraeli ndalon aktivitetet e Mjekëve Pa Kufij në Gaza

Kuds

Izraeli ka ndaluar aktivitetet e organizatës mjekësore humanitare Mjekët Pa Kufij (MSF) në Rripin e Gazës dhe ka urdhëruar organizatën të largohet nga enklava deri më 28 shkurt, transmeton Anadolu.

Ministria për Çështjet e Diasporës e Izraeli, e cila mbikëqyr marrëdhëniet me organizatat humanitare që veprojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, tha se vendimi u mor pasi MSF refuzoi t’i dorëzojë Tel Avivit listat e stafit të saj.

Në një deklaratë të ministrisë, të cituar nga gazeta Maariv, thuhet se MSF ka refuzuar “të dorëzojë listat e punonjësve lokal, një kërkesë që zbatohet për të gjitha organizatat humanitare që operojnë në rajon”.

Ministria pretendoi se masa synon “të mundësojë aktivitete legjitime të ndihmës, duke parandaluar shfrytëzimin e mbulesës humanitare për qëllime armiqësore ose terroriste”.

“Sipas nesh, këto lista punonjësish nuk ndahen me palë të jashtme dhe përdoren vetëm për qëllime të brendshme”, thuhet në deklaratë.

Të premten, MSF njoftoi se nuk do të ndajë listën e stafit të saj palestinez dhe ndërkombëtar me Izraelin, për shkak të refuzimit të Tel Avivit për të dhënë “garanci që sigurojnë mbrojtjen e stafit tonë ose menaxhimin e pavarur të operacioneve tona”.

MSF-ja është një nga organizatat më të mëdha humanitare që operon në Gaza dhe ndalimi i aktiviteteve të saj pritet të shkaktojë dëme të rënda në shërbimet mjekësore tashmë të kufizuara në enklavë.

Lufta 2-vjeçare e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 71.800 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 171.400 të tjerë. Sulmet kanë shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile në Gaza, ndërsa vlerësimet e OKB-së e vendosin koston e rindërtimit në rreth 70 miliardë dollarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.