Izraeli miraton planin për vendbanim të ri të paligjshëm në Kudsin Lindor
Ministri Smotrich tha se plani "historik" do të ndihmojë në konsolidimin e sovranitetit izraelit dhe në parandalimin e krijimit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar
Kuds/Ankara
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich ka miratuar planin për ngritjen e një vendbanimi të ri të paligjshëm hebre me 3.600 njësi banimi në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit Channel 7, vendbanimi "Mishmar Yehuda" do të ndërtohet në 3.380 dynymë tokë në pjesën lindore të qytetit Smotrich tha në platformën sociale të kompanisë amerikane X se vendbanimi do të shërbejë si "bazë strategjike për të mbrojtur Kudsin nga pjesa lindore" dhe është pjesë e politikës së Izraelit për të forcuar kontrollin mbi zonën.
Derisa vendbanimi i ri shkel të drejtën ndërkombëtare, Smotrich argumentoi se ai do të ofrojë dhjetëra mijëra njësi banimi dhe do të forcojë perimetrin lindor të Kudsit. Ai tha se plani "historik" do të ndihmojë në konsolidimin e sovranitetit izraelit dhe në parandalimin e krijimit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Më 12 dhjetor, kabineti izraelit gjithashtu miratoi ngritjen e 19 vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor, duke përshkallëzuar më tej masat e aneksimit.
Grupi izraelit i majtë "Paqe Tani" tha se rreth 500 mijë kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në vendbanime në gjithë Bregun Perëndimor ndërsa edhe 250 mijë të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokë në Kudsin Lindor të pushtuar.
Zgjerimi dhe aneksimi formal i Bregut Perëndimor do ta përfundonte në mënyrë efektive mundësinë e zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, një shtet izraelit dhe një palestinez, siç parashikohet në rezolutat e OKB-së.
Izraeli u krijua në vitin 1948 në tokën palestineze dhe më pas pushtoi territoret e mbetura palestineze. Qeveritë izraelite pasuese refuzuan tërheqjen dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.
