Bota

Izraeli kërcënon të vrasë anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve të Iranit që do të zgjedhin pasardhësin e Khameneit

“Krahu i gjatë i Izraelit do të vazhdojë të ndjekë pasardhësin dhe këdo që përpiqet ta emërojë atë”, tha ushtria izraelite, duke paralajmëruar se Izraeli nuk do të hezitojë të shënjestrojë ata që planifikojnë të marrin pjesë në këtë takim

Rania R.a. Abushamala  | 08.03.2026 - Përdıtësım : 08.03.2026
Izraeli kërcënon të vrasë anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve të Iranit që do të zgjedhin pasardhësin e Khameneit

Kuds

Ushtria izraelite ka kërcënuar se do të vrasë anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve të Iranit, përkatësisht të trupit të klerikëve përgjegjëse për zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm suprem të vendit, nëse ata mblidhen për të zgjedhur pasardhësin e Ali Khameneit, i cili u vra në një sulm ajror SHBA-Izrael javën e kaluar, transmeton Anadolu.

Në platformën e mediave sociale X, zëdhënësja e ushtrisë izraelite, Ella Waweya. tha se regjimi iranian po përpiqet të riorganizojë radhët e tij dhe të emërojë një udhëheqës të ri pas “eliminimit të Khameneit”.

Ajo shtoi se Asambleja e Ekspertëve, e cila sipas saj nuk është mbledhur prej dekadash, pritet të mblidhet së shpejti në qytetin Qom, në Iranin qendror.

“Krahu i gjatë i Izraelit do të vazhdojë të ndjekë pasardhësin dhe këdo që përpiqet ta emërojë atë”, tha ajo, duke paralajmëruar se Izraeli nuk do të hezitojë të shënjestrojë ata që planifikojnë të marrin pjesë në këtë takim.

Sipas sistemit politik të Iranit, udhëheqësi suprem zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja e Ekspertëve dhe kandidati që merr shumicën absolute të votave nga anëtarët e pranishëm shpallet udhëheqësi i ri.

Tranzicioni i fundit i udhëheqjes në Iran ndodhi në vitin 1989, pas vdekjes së Ruhollah Khomeinit, kur Asambleja e Ekspertëve zgjodhi Khamenein si udhëheqës suprem po atë ditë.

Më shumë se 1.200 persona, përfshirë Khamenein dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, janë vrarë në sulmet SHBA-Izrael kundër Iranit që nga 28 shkurti, ndërsa Teherani ka nisur sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.