Bota

Izraeli kërcënon me sulme Sirinë dhe presidentin Ahmed al-Shara

Ministri izraelit Katz pretendon se presidenti sirian Al-Shara ishte "drejtpërdrejt përgjegjës për çdo kërcënim dhe raketë të lëshuar kundër Izraelit"

Burak Dağ  | 04.06.2025 - Përdıtësım : 04.06.2025
Izraeli kërcënon me sulme Sirinë dhe presidentin Ahmed al-Shara

Kuds

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz kërcënoi me sulme Sirinë duke e mbajtur presidentin sirian Ahmed al-Shara përgjegjës për raketat që dyshohet se janë lëshuar nga Siria drejt Lartësive të pushtuara të Golanit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë që bëri në llogarinë e tij në X, Katz pretendon se presidenti sirian Al-Shara ishte "drejtpërdrejt përgjegjës për çdo kërcënim dhe raketë të lëshuar kundër Izraelit".

Katz tha se ushtria izraelite së shpejti do t'i japë "përgjigje të plotë" Sirisë dhe se ata do të kryejnë sulme.

Ushtria izraelite pretendon se 2 raketa u lëshuan nga Siria dhe se raketat ranë në një zonë të hapur në Lartësitë e pushtuara të Golanit. Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se kundër Sirisë ka filluar zjarri i artilerisë.

Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA raportoi se zjarri i artilerisë izraelite ka vënë në shënjestër pellgun Yarmouk në perëndim të Daraa-s.


- Thellimi i pushtimit dhe sulmet e fundit të Izraelit në territoret e Sirisë

Ushtria izraelite më 8 dhjetor 2024 pushtoi zonën tampon ngjitur me Lartësitë e Golanit, të cilat i ka pushtuar që nga viti 1967.

Trupat izraelite e çuan pushtimin përtej zonës tampon dhe arritën brenda 20 kilometrave nga kryeqyteti Damask.

Pas rënies së regjimit Baath më 8 dhjetor 2024, Izraeli goditi dhjetëra pika që i përkisnin regjimit të rrëzuar në Siri dhe shënjestroi me sulme shumë pika në Siri.

Më 2 maj, avionët izraelitë bombarduan një pikë pranë pallatit presidencial në Damask dhe gjatë orëve të natës të së njëjtës ditë kryen të paktën 14 sulme në 5 qytete të vendit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.