Bota

Izraeli kritikon planin e sanksioneve të BE-së, zotohet për hakmarrje

“Hapat kundër Izraelit do të marrin përgjigje në të njëjtën mënyrë dhe shpresojmë se nuk do të jenë të nevojshme”, kërcënoi ministri izraelit

Tarek Chouiref  | 17.09.2025 - Përdıtësım : 17.09.2025
Izraeli kritikon planin e sanksioneve të BE-së, zotohet për hakmarrje

Stamboll

Izraeli ka kritikuar ashpër planin e propozuar të sanksioneve të Komisionit Evropian kundër Izraelit, duke e quajtur atë “të shtrembëruar moralisht dhe politikisht” dhe duke kërcënuar se do të kundërpërgjigjet nëse masat zbatohen, transmeton Anadolu.

"Veprimet kundër Izraelit do të dëmtojnë interesat e vetë Evropës", shkroi ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Saar tha se Izraeli “do të vazhdojë të luftojë, me ndihmën e miqve të tij në Evropë, kundër përpjekjeve për ta dëmtuar atë”.

“Hapat kundër Izraelit do të marrin përgjigje në të njëjtën mënyrë dhe shpresojmë se nuk do të jenë të nevojshme”, kërcënoi ministri izraelit.

Komentet e tij vijnë pasi më herët Komisioni Evropian propozoi pezullimin e pjesëve të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, një veprim që komisioni tha se mund të ndikojë në rreth 5.8 miliardë euro të eksporteve izraelite të lidhura me paktin, si pjesë e një pakete sanksionesh mbi sjelljen e Izraelit në Gaza.

Megjithatë, propozimi ende nuk e ka mbështetjen unanime të vendeve anëtare të BE-së që kërkohet për të hyrë në fuqi.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, gjithashtu ka propozuar sanksione të synuara kundër dy ministrave izraelitë dhe figurave të kolonëve të akuzuar për dhunë kundër palestinezëve.

Dje, e përditshmja izraelite tha se pezullimi i elementëve të Marrëveshjes së Asociimit të vitit 1995, që prej kohësh është shtylla kurrizore e tregtisë Izrael-BE, mund të destabilizojë ekonominë e Izraelit.

Media izraelite tha se tregtia totale midis Izraelit dhe BE-së arriti në 47.4 miliardë dollarë në vitin 2024, duke përfshirë rreth 30.7 miliardë dollarë në importe dhe 16.7 miliardë dollarë në eksporte.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 65 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me një uri të rëndë.

Dje, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez konfirmoi se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.