Izraeli: Kreu i Hezbollahut tani është "shënjestër për eliminim"
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha sot se Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, është tani "objektiv i shënuar për eliminim".
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha sot se Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, është tani "objektiv i shënuar për eliminim", transmeton Anadolu.
Duke shkruar në kompaninë amerikane të mediave sociale X, Katz u zotua se Hezbollahu "do të paguajë çmim të lartë për të shtënat ndaj Izraelit".
"Naim Qassem, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, i cili vendosi për të shtënat nën presionin e Iranit, që tani e tutje, është një objektiv i shënuar për eliminim", shtoi ai.
"Kushdo që ndjek rrugën e (Ali) Khameneit, së shpejti do ta gjejë veten me të në thellësitë e ferrit së bashku me të gjithë ata që janë eliminuar nga boshti i së keqes", tha Katz.
Ushtria tha sot herët se ka nisur "betejë ofensive" kundër Hezbollahut në Liban.
Sulmet ajrore izraelite shënjestruan periferitë jugore të Bejrutit dhe zonat në Libanin jugor, duke vrarë 31 persona dhe duke plagosur 149 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Hezbollahu tha sot në mëngjes se kishte qëlluar me raketa dhe dronë një vend ushtarak izraelit në përgjigje të sulmeve pothuajse të përditshme nga Tel Avivi ndaj Libanit dhe vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Që nga mëngjesi i së shtunës, Izraeli dhe SHBA-ja kanë kryer sulme kundër Iranit që kanë vrarë qindra njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem Khamenei dhe zyrtarë të lartë.
Teherani është përgjigjur duke qëlluar raketa dhe dronë në Izrael si dhe bazat dhe interesat amerikane në disa vende të Gjirit.
Washingtoni dhe Tel Avivi e akuzojnë Teheranin se ndjek programe bërthamore dhe raketore që kërcënojnë Izraelin dhe aleatët e SHBA-së në rajon. Irani thotë se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk kërkon të prodhojë armë bërthamore.
