Izraeli insiston në marrëveshjen që përfshin lirimin e të gjitha pengjeve në Gaza
- Zyrtari izraelit mbron idenë se politika e Izraelit është "konsistente dhe e pandryshuar" dhe ka deklaruar se qeveria e Tel Avivit insiston në marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Kuds
KUDS (AA) - Përgjigjja fillestare e Izraelit ndaj propozimit të Egjiptit dhe Katarit për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza thuhet se ishte marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të siguronte lirimin e të gjitha pengjeve, transmeton Anadolu.
Kanali televiziv shtetëror izraelit KAN, në lajmin e tij të cilin e bazon mbi një zyrtar të zyrës së kryeministrit, thekson se një ditë pasi Hamasi pranoi një propozim të ri nga vendet ndërmjetësuese lidhur me një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, përgjigjja e parë e qeverisë së Tel Avivit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse për shkëmbimin e pengjeve.
Zyrtari izraelit mbron idenë se politika e Izraelit është "konsistente dhe e pandryshuar" dhe ka deklaruar se qeveria e Tel Avivit insiston në marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të siguronte lirimin e të gjithë 50 pengjeve izraelite, në përputhje me parimet e përcaktuara për t'i dhënë fund sulmeve në Rripin e Gazës.
"Ne jemi në fazën përfundimtare të vendimmarrjes për Hamasin. Nuk do të lëmë pas asnjë të burgosur", tha zyrtari në fjalë. Një zyrtar izraelit i cili ka folur më parë për mediat lokale ka thënë se përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza i ishte përcjellë qeverisë së Tel Avivit nga ndërmjetësit.
Dy zyrtarë izraelitë që folën për mediat izraelite thanë se kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojë takime për të shqyrtuar propozimin e armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit, i cili parashikon lirimin gradual të pengjeve izraelite.
- Hamasi njoftoi pranimin e propozimit për armëpushim
Hamasi njoftoi pranimin e propozimit të paraqitur nga Egjipti dhe Katari për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.
Deklarata tregon se propozimi i ri për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve i paraqitur nga Kajro dhe Doha është pranuar, ndërsa përfshin thëniet se "Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze përcollën pranimin e tyre të propozimit të paraqitur dje nga ndërmjetësit, Egjipti dhe Katari".
Mediat egjiptiane raportuan se propozimi i ri përfshin armëpushim të përkohshëm 60-ditor si dhe "marrëveshje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës". Propozimi thuhet se përfshin "rivendosjen e forcave izraelite në zonat kufitare" për të lehtësuar hyrjen e lehtë të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
Në media u raportua se gjatë procesit të armëpushimit parashikohet të lirohen një pjesë e të burgosurve palestinezë në këmbim të lirimit të 10 të burgosurve izraelitë të mbijetuar në Gaza dhe kthimin e trupave të 18 të tjerëve.