Izraeli fillon revokimin e licencave të 37 organizatave ndërkombëtare që ofrojnë ndihmë në Gaza
Qeveria filloi t’u dërgojë njoftime organizatave ndërkombëtare duke i informuar ato se licencat e tyre do të anulohen duke filluar nga janari i vitit 2026 dhe duke u kërkuar atyre të përfundojnë aktivitetet e tyre deri në mars të të njëjtit vit
Kuds/Stamboll
Izraeli ka filluar revokimin e licencave të funksionimit të 37 organizatave ndërkombëtare që ofrojnë ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, duke pretenduar se ato nuk arritën të përmbushin kërkesat sipas rregullave të reja të regjistrimit, transmeton Anadolu.
Të martën, sipas transmetuesit KAN, qeveria izraelite filloi t’u dërgojë njoftime zyrtare dhjetëra organizatave ndërkombëtare duke i informuar ato se licencat e tyre do të anulohen duke filluar nga janari i vitit 2026 dhe duke u kërkuar atyre të përfundojnë aktivitetet e tyre deri në mars të të njëjtit vit.
"Pas hyrjes në fuqi të mekanizmit të regjistrimit për organizatat ndërkombëtare në Gaza, ka filluar procesi i ndalimit të operimit të 37 organizatave ndërkombëtare", tha transmetuesi izraelit.
Sipas transmetuesit, Izraeli pretendon se "këto organizata transferuan kolektivisht më pak se 1 për qind të ndihmës totale humanitare gjatë gjithë luftës dhe se fushëveprimi i ndihmës nuk do të ndikohet nga ky vendim”.
Transmetuesi pretendoi se hetimet e sigurisë zbuluan përfshirjen e punonjësve të Mjekëve pa Kufij në "aktivitete terroriste", duke pretenduar se në dy raste kryesore, organizata mbajti të fshehtë informacionin e plotë në lidhje me identitetin dhe rolet e stafit të saj.
Megjithatë, sipas të përditshmes izraelite Haaretz, vendimi i Izraelit në nëntor për të revokuar licencat e organizatave ndërkombëtare të ndihmës është i rrënjosur në arsye thjesht politike.
Më herët, Izraeli ka ndërmarrë hapa të ngjashëm kundër agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA). Në vitin 2024, Knesseti miratoi legjislacionin që ndalonte aktivitetet e agjencisë së OKB-së në Izrael, duke përmendur akuzat se disa punonjës të UNRWA-së ishin të përfshirë në ngjarjet e 7 tetorit të vitit 2023, pretendime që agjencia i ka mohuar. OKB ka deklaruar se UNRWA i përmbahet standardeve të rrepta të neutralitetit.
Autoritetet izraelite më vonë përshkallëzuan masat kundër agjencisë, duke miratuar një ligj për të ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në objektet e UNRWA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
