Bota

Izraeli evakuon stafin e ambasadës në Greqi mes protestave kundër luftës

Diplomatët izraelitë tërhiqen nga Athina ndërsa aktivistët e majtë grekë planifikojnë një marshim solidariteti me Gazën, tha e përditshmja "Israel Hayom"

Mohammad Sıo  | 06.08.2025 - Përdıtësım : 06.08.2025
Izraeli evakuon stafin e ambasadës në Greqi mes protestave kundër luftës

Kuds

Izraeli evakuoi stafin e ambasadës së tij në kryeqytetin grek, Athinë, për shkak të protestave në rritje kundër Izraelit në vend, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës "Israel Hayom", ky veprim u bë pas protestave kundër luftës së Izraelit në Gaza.

Në lajm thuhet se aktivistët e majtë grekë planifikojnë një "Marshim drejt Gazës" më 10 gusht, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme. "Populli grek nuk do të heshtë përballë gjenocidit të kryer nga Izraeli në Gaza me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Perëndimit dhe qeverisë greke", citoi gazeta një deklaratë nga lëvizja organizuese.

As autoritetet izraelite dhe as ato greke nuk kanë lëshuar deklarata zyrtare në lidhje me statusin e stafit të ambasadës.

Të martën, Partia Komuniste Greke (KKE) dënoi komentet e ambasadorit izraelit, Noam Katz, i cili kishte shprehur shqetësim për grafitet pro-palestineze në Athinë.

"Guximi i ambasadorit izraelit në Athinë për deklaratat e tij të liga vjen jo vetëm nga fakti se ai përfaqëson një shtet vrasës, por edhe nga fakti se qeveria greke është shndërruar në një avokate kryesore për krimet e Izraelit kundër popullit palestinez, nën pretekstin e një aleance strategjike me të", tha partia në një deklaratë.

Zemërimi publik ndaj Izraelit vazhdon të rritet globalisht për shkak të gjenocidit të tij të vazhdueshëm në Gaza.

Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 61 mijë palestinezë, pothuajse gjysma e tyre gra dhe fëmijë.

Fushata ushtarake e Izraelit e ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın