Izrael, mbyllen qendrat e votimit me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve që nga viti 1999
Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë, Partia Fronti Demokratik për Paqe dhe Barazi tha se pjesëmarrja e votuesve arab ishte e ulët. Megjithatë, nuk u dha ndonjë shifër e saktë

Kuds
Qendrat e votimit në Izrael janë mbyllur, ndërkohë që sipas autoriteteve zgjedhore regjistruan pjesëmarrjen më të lartë të votuesve për zgjedhjet e përgjithshme që nga viti 1999, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pjesëmarrja e lartë erdhi në zgjedhjet e pesta të përgjithshme të vendit në më pak se katër vite. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se deri në orën 20:00 pjesëmarrja e votuesve ishte 66,3 për qind, me pothuajse 4.5 milionë njerëz që kishin shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.
Rreth 6.7 milionë votues kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet e sotme.
Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë, Partia Fronti Demokratik për Paqe dhe Barazi tha se pjesëmarrja e votuesve arab ishte e ulët. Megjithatë, nuk u dha ndonjë shifër e saktë.
Derisa ish-kryeministri Benjamin Netanyahu synon të kthehet në pushtet, sondazhet tregojnë se partia e tij e krahut të djathtë ‘Likud’ mund të sigurojë 60 vende nga gjithsej 120 vende të parlamentit, një më pak nga një shumicë e plotë.
Partia ‘Yesh Atid’ e kryeministrit Yair Lapid parashikohet të përfundojë e dyta në një garë të ngushtë.
Rezultatet e zgjedhjeve pritet të shpallen nesër.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.