Italia përballet me rritje të zjarreve, me 700 vatra të regjistruara në vitin 2025
Instituti Kombëtar i Shëndetit të Italisë ka bërë të ditur se vendi ka regjistruar afër 700 vatra zjarresh në periudhën janar-korrik të vitit 2025, që kanë djegur mbi 320 kilometra katrorë tokë

Stamboll
Instituti Kombëtar i Shëndetit të Italisë (ISS) ka bërë të ditur se vendi ka regjistruar afër 700 vatra zjarresh në periudhën janar-korrik të vitit 2025, që kanë djegur mbi 320 kilometra katrorë tokë, transmeton Anadolu.
Krahasuar me vitin 2024, tha instituti ISS, gjatë gjithë vitit zjarret shkatërruan gjithsej 514 kilometra katrorë.
Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, koordinatori i Grupit Kombëtar të Studimit të ISS-së për Ndotjen e Brendshme, Gaetano Settimo, Sicilia ishte rajoni me sipërfaqen më të madhe të prekur nga zjarret vitin e kaluar, me 175 kilometra katrorë të djegura, e ndjekur nga Kalabria me 102 kilometra katrorë.
“Edhe pse vera është zakonisht sezoni kur ndodhin më shumë zjarre për shkak të temperaturave të larta dhe aktivitetit të shtuar njerëzor në ambiente të hapura, vitet e fundit karakteri sezonal i zjarreve po zhduket”, paralajmëroi Settimo.
Ai beson se ndryshimet klimatike po luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e modeleve të motit.
“Po shohim modele moti gjithnjë e më të parregullta, të shoqëruara me vëmendje të pamjaftueshme ndaj menaxhimit të tokës dhe masave parandaluese”, shtoi ai.
Settimo bëri thirrje për vigjilencë gjatë gjithë vitit, duke theksuar se rreziku i zjarreve nuk kufizohet më vetëm në muajt e verës.
“Ky problem kërkon vëmendje të vazhdueshme gjatë gjithë vitit”, tha ai.