Bota

Italia gjobit kompaninë Apple me 115 milionë dollarë për shkelje të privatësisë në App Store

Autoriteti italian i konkurrencës AGCM tha se politika e kompanisë Apple kufizon konkurrencën duke vendosur kushte të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta

Aysu Biçer  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
Italia gjobit kompaninë Apple me 115 milionë dollarë për shkelje të privatësisë në App Store

Londër

Autoriteti italian i konkurrencës ka gjobitur kompaninë Apple me 98,6 milionë euro (115 milionë dollarë) për abuzim të supozuar të pozicionit të saj dominant në tregun e aplikacioneve të telefonave, transmeton Anadolu.

Autoriteti italian i konkurrencës AGCM tha se politika e kompanisë Apple për Transparencën e Ndjekjes së Aplikacioneve (App Tracking Transparency - ATT) kufizon konkurrencën duke vendosur kushte të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta.

Rregullat e ATT-së, të paraqitura në vitin 2021, kërkojnë nga zhvilluesit të marrin pëlqimin e qartë të përdoruesve për mbledhjen dhe lidhjen e të dhënave për qëllime reklamuese.

Autoriteti konstatoi se zbatimi i kompanisë Apple detyron zhvilluesit të kërkojnë pëlqimin dy herë për të njëjtin qëllim, një proces që nuk përputhet me kërkesat e ligjit për privatësinë.

Sipas autoritetit, qasja e “dyfishtë e pëlqimit” është e dëmshme për zhvilluesit, reklamuesit dhe platformat e reklamimit, pasi kufizon mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të domosdoshme për reklamim të personalizuar.

“Kushtet e politikës ATT vendosen në mënyrë të njëanshme dhe dëmtojnë interesat e partnerëve tregtarë të Apple”, tha autoriteti.

Ai shtoi se politika është e “tejkaluar” për qëllimet e deklaruara të privatësisë së kompanisë dhe se Apple mund të kishte arritur të njëjtin nivel mbrojtjeje të përdoruesve me një proces pëlqimi njëhapësh.

Hetimi, i kryer në koordinim me Komisionin Evropian, autoritetet e tjera kombëtare të konkurrencës dhe Autoritetin Italian për Mbrojtjen e të Dhënave, përfundoi se Apple mban një pozicion “super-dominant” në tregun e platformave që furnizojnë aplikacione për përdoruesit e iOS.

Autoriteti i konkurrencës vendosi se kompania shkel Nenit 102 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së, i cili ndalon abuzimin e pozicionit dominant në treg.

Apple, e cila shpërndan aplikacione globalisht përmes App Store, më parë ka mbrojtur rregullat e ATT-së si një masë kyçe për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın