Bota

Itali, nesër pritet dorëheqja e kryeministrit mes krizës qeveritare

Conte kaloi në një krizë qeveritare pasi javën e kaluar humbi shumicën e tij parlamentare, pasi ish-kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij të vogël nga koalicioni qeverisës

Ekip  | 25.01.2021 - Përdıtësım : 26.01.2021
Itali, nesër pritet dorëheqja e kryeministrit mes krizës qeveritare Foto: AA/Arhiv

Romë

Zyra e kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte, ka bërë të ditur se nesër kryeministri Giuseppe Conte do të njoftojë ministrat e kabinetit të tij për qëllimin e tij për të dhënë dorëheqje dhe më pas do të paraqesë dorëheqjen tek presidenti Sergio Mattarella, transmeton Anadolu Agency (AA).

Conte kaloi në një krizë qeveritare pasi javën e kaluar humbi shumicën e tij parlamentare, pasi ish-kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij të vogël nga koalicioni qeverisës.

Javën e kaluar, Conte mbijetoi një votë kyçe të besimit në Senat, por siguroi vetëm një shumicë të dobët, me çka dobësoi më tej lidershipin e tij, duke e detyruar atë të kërkojë aleatë të ri në parlament.

Megjithatë, përpjekja për të qëndruar në pushtet dështoi pasi disa ligjvënës të pavarur dhe grupe të vogla parlamentare mohuan mbështetjen e tyre për kabinetin e kryeministrit Conte.

Kriza e papritur e qeverisë e çon Italinë në një kaos të mëtejshëm politik, përderisa vendi po lufton valën e dytë të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe recesionin më të keq ekonomik që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tani, presidenti Mattarella po përballet me disa opsione. Edhe pse ai ka pushtetin për të shpërndarë dhomat dhe për të thirrur zgjedhje të reja, ky mbetet skenari më pak i mundshëm, pasi ai nuk preferon të mbajë zgjedhje të përgjithshme mes valës së pandemisë dhe në prag të vendimeve kyçe politike.

Opsioni më i mundshëm është që presidenti Mattarella të përpiqet të përdorë suazën e tij morale për të ndihmuar në formimin e një qeverie "tranzicioni" ose "uniteti kombëtar", të mbështetur nga një shumicë më e gjerë dhe që do të jetë e aftë ta largojë Italinë nga pandemia dhe emergjenca ekonomike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.