Itali, gjykata urdhëron lirimin e imamit egjiptian që përballet me deportim pas komenteve pro-palestineze
Partitë e krahut të djathtë e dënojnë vendimin si "politik" dhe "të turpshëm" ndërsa opozita dhe grupet civile mirëpresin vendimin e Gjykatës së Apelit të Torinos
Romë
Një gjykatë apeli në Itali ka urdhëruar lirimin e një imami egjiptian i cili përballej me deportim pasi autoritetet thanë se komentet që ai bëri në një protestë pro-palestineze përbënin kërcënim për sigurinë publike, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve të mediave lokale, Gjykata e Apelit e Torinos vendosi që deklaratat e bëra nga Mohammed Shahin, një imam 47-vjeçar me bazë në qytetin verior të Torinos, nuk e justifikonin largimin e tij nga vendi.
Procedurat e deportimit ishin nisur nga ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, pasi Shahin foli në një tubim më 9 tetor në mbështetje të Palestinës, ku ai tha se ngjarjet e tetorit 2023 "nuk ishin shkelje ose akt dhune".
Autoritetet italiane argumentuan se komentet përbënin rrezik për rendin publik. Shahin u ndalua më 24 nëntor dhe u transferua në një qendër riatdhesimi emigrantësh në Caltanissetta, në ishullin e Siçilisë.
Avokatët e tij apeluan kundër urdhrit të deportimit, duke argumentuar se komentet e tij nuk përbënin kërcënim për sigurinë publike. Gjykata e Apelit e Torinos pranoi argumentin e mbrojtjes dhe vendosi që Shahini duhet të lirohet.
Vendimi ka marrë kritika të forta nga partitë në qeverinë e koalicionit të krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni. Disa figura të larta e përshkruan vendimin si "politik" dhe "të turpshëm".
Megjithatë, partitë e majta të opozitës si dhe sindikatat dhe grupet e shoqërisë civile, e mirëpritën vendimin e gjykatës. Ato argumentuan prej kohësh se deklaratat e Shahinit nuk përbënin vepër penale dhe se ai nuk duhet të deportohet në Egjipt.
Thirrje për lirimin e Shahinit u shprehën gjithashtu gjatë një marshimi pro-palestinez në kryeqytetin italian, Romë, më 13 dhjetor.
