Bota, Kulturë

"Istanbul Photo Awards" shpall jurinë e vitit 2026

Konkursi bashkon një panel ekspertësh të vlerësuar, përfshirë fituesit e Çmimit Pulitzer dhe World Press Photo

Asiye Latife Yılmaz  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
"Istanbul Photo Awards" shpall jurinë e vitit 2026

Istanbul

"Istanbul Photo Awards", konkursi prestigjioz ndërkombëtar fotografik i organizuar nga Anadolu, publikoi sot përbërjen e jurisë për vitin 2026, transmeton Anadolu.

Konkursi mbledh një panel ekspertësh të vlerësuar, përfshirë fituesit e Çmimit Pulitzer dhe World Press Photo të njohur për punën e tyre në fotografinë sportive, mjedisore, portret dhe konflikte.

Juria e shquar e këtij viti përfshin fotoreporteren Carol Guzy, Yuri Kozyrev nga Agjencia NOOR, fotoreporterin e "Globe and Mail", Goran Tomasevic, fotografen dhe regjisoren e National Geographic, Ami Vitale, fotoreporterin kryesor të sporteve të Getty Images, Cameron Spencer dhe fotoreporterët turq, Ahmet Sel dhe Firat Yurdakul.

Jurisë së "Istanbul Photo Awards" në vitin 2026 i bashkohen edhe Nicole Tung dhe Muhammed Muheisen, të dy të vlerësuar ndërkombëtarisht për rrëfimin e tyre të fuqishëm vizual. Tung është fotoreportere e pavarur e lindur në Hong Kong, me bazë në Stamboll, e cila punon me media ndërkombëtare, përfshirë The New York Times si dhe organizata joqeveritare.

Raportimi i saj përqendrohet kryesisht në Lindjen e Mesme, me theks në ndikimin njerëzor të konfliktit. Puna e fotoreporteres Tung i dha asaj Çmimin Philip Jones Griffiths të vitit 2025. Ajo u emërua finaliste për Çmimin Pulitzer në Fotografinë e Lajmeve të Fundit.

Muheisen është fotograf i lindur në Kuds dhe dy herë fitues i Çmimit Pulitzer. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka fituar njohje ndërkombëtare për punën e tij afatgjatë të përqendruar te refugjatët dhe migrimi i detyruar.

Jeta dhe puna e tij janë subjekt i dokumentarit Finding the Light të National Geographic. Ai është themeluesi i Fondacionit "Everyday Refugees".

Aplikimet për konkursin e vitit 2026 janë ende të hapura dhe pranojnë pjesëmarrje në 10 kategori, përfshirë lajmet, sportet, natyrën dhe mjedisin, jetën e përditshme dhe fotografinë e portreteve. Lejohen si dorëzime individuale ashtu edhe seriale.

Fotografët mund të dorëzojnë deri në katër punime në kategoritë me një foto të vetme dhe dy punime në kategoritë seriale, me secilën seri që përfshin deri në 10 foto. Mund të dorëzohen maksimumi 120 foto për pjesëmarrës.

Fituesit e konkursit, i cili mbështetet përsëri nga Turkcell si sponsor komunikimi, do të caktohen në një takim online të jurisë në mars 2026. Për më shumë detaje mbi anëtarët e jurisë dhe udhëzimet e dorëzimit, vizitoni faqen zyrtare të internetit: www.istanbulphotoawards.com.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın