Ish-sekretari britanik i kabinetit arrestohet pas publikimit të dosjeve Epstein
"Zyrtarët kanë arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për keqsjellje në detyrë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë Metropolitane të Londrës
Londër
Peter Mandelson, ish-sekretar britanik i Biznesit dhe ish-ambasador në SHBA, është arrestuar nën “dyshimin për keqsjellje në detyrë publike” pas publikimit të fundit të dosjeve që lidhen me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein, transmeton Anadolu.
“Zyrtarët kanë arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për keqsjellje në detyrë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë Metropolitane të Londrës.
Sipas policisë, Mandelson u arrestua në një adresë në Camden të Londrës dhe u dërgua në një stacion policor për intervistim. Policia tha se arrestimi pason ekzekutimin e urdhër-kontrolleve në dy adresa në Wiltshire, në jugperëndim të Anglisë, si dhe në Camden.
Arrestimi vjen në mes të një hetimi penal ndaj Mandelsonit pas pretendimeve se ai kishte rrjedhur email-e qeveritare tek Epstein, i cili vdiq në një qeli burgu në New York në vitin 2019.
Zbulimet, që tashmë kanë ndikuar në dorëheqjen e disa ndihmësve të lartë të kryeministrit Keir Starmer, kanë rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e mëhershme të Mandelsonit dhe kanë nxitur krahasime me disa nga skandalet më të mëdha politike në Britani.
Lidhjet e raportuara të Mandelsonit me Epstein kanë ushqyer një krizë politike, të cilën disa komentatorë e kanë cilësuar si më të rëndën që nga skandali Profumo i fillimit të viteve 1960.
Mandelson, i njohur për rolin e tij strategjik në politikë dhe ndikimin prapa skenës, e përfundoi karrierën e tij disadekadëshe me dorëheqjet e fundit nga Partia Laburiste dhe Dhoma e Lordëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
