Ish-Princi Andrew i Mbretërisë së Bashkuar arrestohet nën dyshimin për shpërdorim detyre
Policia refuzoi të identifikojë të dyshuarin “sipas udhëzimeve kombëtare”, duke njoftuar se ai ndodhet aktualisht në paraburgim dhe se po kryhen kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk
Londër
Ish-Princi Andrew është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim detyre pas zhvillimeve të fundit lidhur me çështjen Epstein, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik BBC raportoi se Policia e Thames Valley arrestoi 66-vjeçarin Andrew Mountbatten Windsor në Norfolk të Anglisë.
Policia në një deklaratë refuzoi të identifikojë të dyshuarin “sipas udhëzimeve kombëtare”, duke njoftuar se ai ndodhet aktualisht në paraburgim dhe se po kryhen kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk.
“Pas një vlerësimi të plotë, kemi hapur një hetim për këtë pretendim për shpërdorim detyre”, tha ndihmës-shefi i policisë, Oliver Wright.
Ish-princi ka mohuar çdo shkelje në lidhje me Jeffrey Epstein-in.
Më 9 shkurt, policia deklaroi se po vlerëson raportimet për shpërdorim të dyshuar “në përputhje me procedurat e përcaktuara”.
Andrew, vëllai më i vogël i Mbretit Charles, shërbeu si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2001 deri në 2011. Ai u tërhoq nga detyrat mbretërore në vitin 2019 pasi lidhjet e tij me Epstein-in u bënë publike.
Sipas dokumenteve të publikuara së fundmi, më 7 tetor të vitit 2010, Andrew i dërgoi Epstein-it detaje mbi udhëtimet e tij zyrtare si i dërguar tregtar në Singapor, Vietnam, Shenzhen dhe Hong Kong.
Më 30 nëntor, ai dyshohet se i përcolli Epstein-it raporte zyrtare mbi këto vizita menjëherë pasi i kishte marrë ato.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
