Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy do të shkojë nesër në burg
Nesër do të paraqitet në burg ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili u dënua me 5 vjet burg për themelimin e një organizate kriminale në "rastin e Libisë" ku u gjykua për katër akuza

Ankara
Nesër do të paraqitet në burg ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili u dënua me 5 vjet burg për themelimin e një organizate kriminale në "rastin e Libisë" ku u gjykua për katër akuza, përfshirë korrupsionin, transmeton Anadolu.
Në lajmet e paraqitura në shtypin kombëtar thuhet se Sarkozy i cili vizitoi Zyrën e Prokurorit Financiar Kombëtar (PNF) më 13 tetor për të mësuar detaje rreth burgut dhe datës së burgosjes së tij, do të paraqitet në burgun "La Sante" në Paris nesër në orën 9:30 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Autoritetet e burgut kanë urdhëruar që Sarkozy të vendoset në izolim për sigurinë e tij. Në një deklaratë për "Le Figaro" dhe "La Tribune Dimanche", ai tha se nuk ka kërkuar ndonjë ndryshim në kushtet e dënimit të tij.
Sarkozy do të mbahet në një qeli prej 11 metrash katrorë e cila ka dritare.
Sipas informacionit të marrë nga BFMTV dhe "Le Figaro" nga burime pranë presidencës, presidenti francez Emmanuel Macron u takua me Sarkozyn në Pallatin Elysee më 17 tetor, katër ditë para se të fillonte paraburgimi i tij. Detajet e takimit të të dyve nuk u bënë të ditura.
- Sarkozy u dënua me 5 vjet burg
Më 25 shtator, Gjykata Penale e Parisit vendosi kundër Sarkozyt në "rastin e Libisë", ku ai u akuzua për "fshehje të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe krijim të një organizate kriminale me qëllim kryerjen e një krimi".
Gjykata vendosi se Sarkozy nuk kreu krimet e korrupsionit pasiv, fshehjes së përvetësimit të fondeve publike ose financim të paligjshëm të fushatës dhe e dënoi ish-presidentin me 5 vjet burg për krijimin e një organizate kriminale.
Edhe pse Sarkozy e apeloi vendimin, për shkak të natyrës së vendimit të gjykatës, burgimi i tij u bë vendim i prerë pa përfunduar procesi i apelimit.
Pretendohet se Sarkozy, i cili shërbeu si president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012 "mori mbështetje të paligjshme financiare nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muamar Gadafi për të drejtuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007". Pas pretendimeve, në vitin 2013 nisi një hetim për incidentin dhe filloi procesi gjyqësor, i njohur publikisht si "rasti i Libisë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.