Bota

Ish-presidenti finlandez: Mosmarrëveshja për Grenlandën nuk duhet të shënojë fundin e NATO-s

"Askush nuk mund ta imagjinonte që anëtari kryesor i NATO-s do të kërcënonte të pushtonte territorin e një vendi tjetër të NATO-s", tha Sauli Niinisto

Necva Taştan Sevinç  | 16.01.2026 - Përdıtësım : 16.01.2026
Ish-presidenti finlandez: Mosmarrëveshja për Grenlandën nuk duhet të shënojë fundin e NATO-s

Stamboll

Ish-presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, ka deklaruar se tensionet mbi Grenlandën nuk duhet të lejohen të çojnë në shkatërrimin e NATO-s, transmeton Anadolu.

"Askush nuk mund ta kishte imagjinuar që anëtari kryesor i NATO-s do të kërcënonte të pushtonte territorin e një vendi tjetër të NATO-s", tha Niinisto për transmetuesin finlandez MTV të enjten, duke iu referuar vërejtjeve të përsëritura të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se SHBA-të duhet të aneksojnë Grenlandën, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës.

Niinisto, i cili mbikëqyri pranimin e Finlandës në NATO para se të largohej nga detyra vitin e kaluar, tha se edhe nëse Washingtoni ndjekë një politikë agresive ndaj Grenlandës, aleanca duhet të qëndrojë.

"Le ta marrim NATO-n në duart evropiane, ose të përpiqemi të blejmë kohë me shpresën se diçka do të ndryshojë në SHBA", tha ai.

Trump ka përsëritur ditët e fundit se SHBA-të "kanë nevojë për Grenlandën" dhe nuk e kanë përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të arritur këtë qëllim.

Zyrtarët danezë dhe të Grenlandës vizituan Shtëpinë e Bardhë këtë javë për të qetësuar situatën, por presidenti i SHBA-së mbajti qëndrimin e tij pas bisedimeve.

Niinisto paralajmëroi gjithashtu se çdo veprim ushtarak kundër Grenlandës mund të shkaktojë klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të Bashkimit Evropian sipas Traktatit të Lisbonës.


- Forcë e mundshme e përbashkët ushtarake e BE-së

Niinisto aktualisht po kryeson një grup pune që po përgatit një raport mbi mënyrën se si Evropa mund të garantojë mbrojtjen e saj pa pjesëmarrjen e SHBA-së.

Studimi, që do të publikohet në mars nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) me seli në Bruksel, pritet të ngrejë mundësinë e krijimit të një force të përbashkët ushtarake evropiane.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen, u përpoq të minimizonte urgjencën e krizës, duke thënë se nuk ka "asnjë emergjencë akute".

Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Suedinë dhe Norvegjinë, kohët e fundit kanë vendosur kontingjente të vogla ushtarake ose oficerë në Grenlandë, mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në rajonin e Arktikut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın