Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Liburn Aliu, emërohet drejtor i Portit të Durrësit
Ceremonia e prezantimit është mbajtur sot me pjesëmarrjen e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë
Tiranë
Ish-Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, është emëruar drejtor i ri i Portit të Durrësit, raporton Anadolu.
Ceremonia e prezantimit është mbajtur sot me pjesëmarrjen e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë.
Në fjalën e saj në aktivitetin e prezantimit, Balluku u shpreh se Porti i Durrësit nuk do t'i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t'i shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
"Ne kemi nisur prej kohësh një plan zhvillimi të një porti të ri, në afërsi të Durrësit, duke qenë se lokacioni është strategjik, duke qenë se Durrësi është një pikë referimi për të gjithë rajonin. Porti i Durrësit për ne ka qenë një prioritet. Porti i ri i Durrësit parashikohet dhe është në vullnetin politik të qeverisë shqiptare që të jetë edhe një bazë e NATO-s, një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut", tha Balluku.
Ajo theksoi se Aliu, Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg i përbashkët i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor.
Aliu u shpreh se Porti i Durrësit është port i të gjithë shqiptarëve dhe është port i rajonit.
"Jam i nderuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për një detyrë që më është dhënë, që më është besuar dhe që është mjaft sfiduese", tha Aliu.
Liburn Aliu zëvendëson në postin e ri, drejtorin e deritanishëm të Portit të Durrësit, Kreshnik Bajraktari.
Kujtojmë se në gusht të këtij viti, Aliu dorëzoi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Aliu bëri të ditur në atë kohë se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
