Ish-ministri Hasani: Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm projekt strategjik i Shqipërisë, por edhe i Evropës
"Për Shqipërinë, integrimi në BE nuk është vetëm vija e finishit, është një transformim i thellë që është tashmë në lëvizje, më e rëndësishmja me fokus në forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e sundimit të ligjit", tha Hasani

Tiranë
Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) nuk është vetëm projekt strategjik i Shqipërisë, por edhe i Evropës, transmeton Anadolu.
Hasani ka marrë pjesë në "EuropeSummit2025", në Salzburg, ku ai ka theksuar se integrimi në BE është një transformim i thellë.
"Për Shqipërinë, integrimi në BE nuk është vetëm vija e finishit, është një transformim i thellë që është tashmë në lëvizje, më e rëndësishmja me fokus në forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e sundimit të ligjit", ka shkruar Hasani në rrjetet sociale.
Duke folur për procesin e integrimit evropian të vendit, ai tha se: "Shqipëria hapi 28 nga 33 kapitujt negociues në më pak se një vit - një moment historik që vërteton se sa larg mund të na çojë vendosmëria. Momenti tani duhet të ruhet nga të dyja palët: reforma më të thella në vend, angazhim i qëndrueshëm në Bruksel. Sepse zgjerimi nuk është vetëm projekti strategjik i Shqipërisë, por edhe i Evropës".
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe në vitet e fundit ka mbajtur disa konferenca ndërqeveritare me BE-në për hapjen e grupkapitujve për negociatat e anëtarësimit.