Bota

Ish-kreu i Këshillit të BE-së: Kreu i NATO-s të punojë për unitetin e aleancës, jo të veprojë si agjent amerikan

"Diplomacia lajkatuese e Mark Rutte-s ndaj Trumpit nuk do të funksionojë dhe mund të çojë në dështim të plotë", tha Charles Michel

Burak Bir  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Ish-kreu i Këshillit të BE-së: Kreu i NATO-s të punojë për unitetin e aleancës, jo të veprojë si agjent amerikan

Londër

Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel kritikoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për atë që e quajti "qasje lajkatuese" ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se nuk pret që shefi i aleancës të jetë një "agjent amerikan", transmeton Anadolu.

"Diplomacia lajkatuese" e Rutte-s ndaj Trumpit nuk do të funksionojë dhe mund të çojë në "dështim të plotë", pohoi Michel gjatë emisionit të mëngjesit "Europe Today" në Euronews.

Ai tha se Rutte duhet të ndalojë së qeni një "agjent amerikan" dhe të bashkojë NATO-n përballë "retorikës armiqësore" dhe "kërcënimit" nga SHBA-ja. "Nuk pres që Mark Rutte të jetë një agjent amerikan. Pres që Mark të punojë për unitet brenda NATO-s", tha Michel i cili shërbeu si president i Këshillit Evropian nga viti 2019 deri në vitin 2024.

"Dua të jem i qartë, Mark Rutte është zhgënjyes dhe unë po humbas besimin", shtoi ai.

Rutte ka tërhequr kritika pasi hodhi poshtë idenë e mbrojtjes së vetme të Evropës gjatë fjalimit të tij në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe Komitetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Parlamentit Evropian në Bruksel të hënën.

"Nëse dikush mendon këtu se Bashkimi Evropian ose Evropa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhoni të ëndërroni. Nuk mundeni. Ne nuk mundemi", tha ai.

Michel tha se Evropa përballet me "kërcënime" duke shtuar: "Ajo që po ndodh me Grenlandën nuk është e pranueshme dhe pres që Mark Rutte të jetë një zë i fortë për të mbrojtur unitetin midis NATO-s".

Tetë vende evropiane u kërcënuan me tarifa nga Trumpi për Grenlandën në fillim të janarit.

"BE-ja është partner shumë besnik i SHBA-së dhe nuk e meriton sjelljen e fundit të presidentit amerikan", tha Michel.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın