Ish-komisioneri i BE-së: Sot fatkeqësisht, SHBA-ja është armiku ynë
Joaquin Almunia shpreh shqetësim për heshtjen në Bruksel ndaj strategjisë së Washingtonit dhe kritikon reagimin e BE-së ndaj gjenocidit në Gaza
Oviedo
Ish-komisioneri i Bashkimit Evropian (BE), Joaquin Almunia ka deklaruar se SHBA-ja ka kaluar nga një aleat kyç i Evropës në një kundërshtar armiqësor, sipas një interviste të publikuar sot nga mediat spanjolle, transmeton Anadolu.
"Evropa dikur kishte një aleat, por sot, fatkeqësisht, SHBA-ja është armiku ynë", tha Almunia, ish-nënkryetar i Komisionit Evropian. "SHBA-ja ka kaluar nga pro-evropiane në anti-BE dhe kjo duhet të shqetësojë jo vetëm evropianët, por edhe amerikanët", shtoi ai.
Duke folur për radion spanjolle "Cadena Ser", ai tha se kërcënimi buron nga presidenti amerikan Donald Trump dhe jo nga populli amerikan në tërësi. Megjithatë, ai paralajmëroi se ky ndryshim përbën rrezik për demokracitë liberale në mbarë botën.
"Trump e konsideron BE-në kundërshtarin e tij kryesor dhe e sheh (presidentin rus) Vladimir Putin si mik", tha Almunia duke shtuar: "Kur dokumenti strategjik i sigurisë i SHBA-së mbështet hapur partitë populiste të ekstremit të djathtë, që Trump i quan 'parti patriotike', kjo më shqetëson vërtet".
Almunia tha se ishte "shumë i shqetësuar" nga heshtja e liderëve të tjerë evropianë për këtë çështje, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai gjithashtu kritikoi reagimin e BE-së ndaj gjenocidit të Izraelit në Gaza, duke thënë se i mungon koherenca dhe urgjenca.
"Nëse jemi dëshmitarë të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, duhet të reagojmë me vendosmëri" tha ai. "Si evropianë, duhet të reagojmë kur këto parime shkelen, jo të kthejmë shpinën apo të gjejmë justifikime", shtoi Almunia.
