Ish-komandanti izraelit: Shumica e pengjeve izraelite në Jabalia u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite
"Zjarri izraelit vrau shumicën e pengjeve (robërve) në Jabalia për shkak të boshllëqeve në inteligjencë", tha Nitzan Alon, një ish-negociator izraelit
Kuds/Stamboll
Një ish-komandant ushtarak izraelit tha sot se shumica e pengjeve në veri të Rripit të Gazës janë vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite, transmeton Anadolu.
"Zjarri izraelit vrau shumicën e pengjeve (robërve) në Jabalia për shkak të boshllëqeve në inteligjencë", tha Nitzan Alon, një ish-negociator izraelit, për të përditshmen "Yedioth Ahronoth".
Alon tha se shumë nga pengjet, të cilët mbërritën në Gaza të gjallë, u vranë në sulmet izraelite që shënjestruan ndërtesat ku ishin mbajtur. Ai tha se tre pengje izraelite u vranë në një sulm izraelit në dhjetor 2023 për shkak të "supozimeve të pasakta në terren", pa detaje të mëtejshme.
"Frika e shkaktuar nga sulmet tona ajrore u përmend vazhdimisht në dëshmitë e pengjeve", shtoi ai.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Qassam transmetuan vazhdimisht video-klipe të robërve izraelitë në të cilat ata i bënin thirrje qeverisë së Benjamin Netanyahut të ndalonte sulmet që rrezikonin jetën e tyre, por Tel Avivi i injoroi këto thirrje dhe vazhdoi luftën për dy vjet.
Lidhur me protestat e zhvilluara nga familjet e pengjeve izraelite, Alon tha se "ato patën shumë më pak ndikim në negociata sesa pretenduan shumë njerëz".
Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor sipas planit 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke ndaluar dy vjet sulme izraelite që kanë vrarë mbi 70 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe kanë plagosur gati 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.
Faza e parë e marrëveshjes përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikonte gjithashtu rindërtimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Izraeli e lidh fillimin e negociatave për nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit me marrjen e trupave të të gjithë pengjeve të tij. Tel Avivi pretendon se mbetjet e një pengu izraelit janë ende në Gaza ndërsa Hamasi thotë se ka dorëzuar të 20 pengjet izraelite që ishin gjallë dhe mbetjet e të 28 të vrarëve.
