Bota

Ish-kancelari gjerman e krahason sulmin SHBA-Izrael ndaj Iranit me Luftën e Vietnamit

"Ajo që po bëjnë amerikanët dhe izraelitët atje është irrituese. Në thelb është një luftë që po zhvillohet edhe për arsye ideologjike, një luftë që nuk mund të fitohet vërtet dhe që më kujton shumë Luftën e Vietnamit", tha Schroder

Oliver Towfigh Nia  | 20.03.2026 - Përdıtësım : 20.03.2026
Ish-kancelari gjerman e krahason sulmin SHBA-Izrael ndaj Iranit me Luftën e Vietnamit

Berlin

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, e ka krahasuar sulmin ushtarak SHBA-Izrael ndaj Iranit me Luftën e Vietnamit, duke e quajtur atë "irrituese", transmeton Anadolu.

"Ajo që po bëjnë amerikanët dhe izraelitët atje është, sipas mendimit tim, irrituese. Në thelb është një luftë që po zhvillohet edhe për arsye ideologjike, një luftë që nuk mund të fitohet vërtet dhe që më kujton shumë Luftën e Vietnamit", tha Schroder për gazetën e përditshme Sueddeutsche Zeitung.

Sipas tij, rezistenca e strukturës së pushtetit në Iran është nënvlerësuar.

"Këtu, nga perspektiva e shumë iranianëve, një përfaqësues i Zotit po sulmohet, si të thuash, dhe jo vetëm udhëheqësi i një qeverie normale civile", shtoi ai.

Schroeder përshëndeti qëndrimin e kancelarit Friedrich Merz për refuzimin e ofrimit të mbështetjes ushtarake për SHBA-në në luftën me Iranin.

I pyetur nëse Gjermania duhet të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake për të rivendosur dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila po bllokohet nga Irani, ish-kancelari u përgjigj: "Nuk mund ta bësh këtë, në asnjë rrethanë".

Në vitin 2003, si kancelar i atëhershëm socialdemokrat, Schroeder kishte kundërshtuar pjesëmarrjen gjermane në pushtimin amerikan të Irakut.

Në atë kohë, amerikanët kishin formuar një koalicion, të cilit iu bashkuan disa aleatë evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën. Gjermania dhe Franca e refuzuan misionin ushtarak.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.