Ish-ambasadori i BE-së në Palestinë: Brukseli të mbajë gjallë axhendën e sanksioneve kundër Izraelit
"Nëse BE-ja dhe shtetet e saj anëtare nuk veprojnë, nuk do të jemi në gjendje të flasim për shtet të Palestinës në muajt ose vitet e ardhshme", paralajmëroi Von Burgsdorff
Bruksel
Ish-ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Palestinë, Sven Kühn von Burgsdorff i bëri thirrje Brukselit që ta mbajë gjallë axhendën e sanksioneve kundër Izraelit, transmeton Anadolu.
Ish-ambasadorët e BE-së u mblodhën para ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel, ku qeveriset BE-ja. Ish-përfaqësuesi i BE-së në Palestinë, ambasadori Von Burgsdorff foli në protestë, në të cilën morën pjesë edhe personel punonjës të institucioneve të ndryshme të BE-së.
Von Burgsdorff tha se ata i kanë dërguar letra të përsëritura administratës së BE-së duke kërkuar sanksione kundër Izraelit derisa të arrihej një armëpushim dhe theksoi veçanërisht indiferencën e Gjermanisë për këtë çështje.
Pasi tërhoqi vëmendjen mbi sulmet e vazhdueshme të Izraelit dhe viktimat civile pas armëpushimit në Gaza, Von Burgsdorff tha: "Ky nuk është armëpushim i vërtetë".
"Nëse BE-ja dhe shtetet e saj anëtare nuk veprojnë, nuk do të jemi në gjendje të flasim për shtet të Palestinës në muajt ose vitet e ardhshme", paralajmëroi Von Burgsdorff.
Ai shtoi se sanksionet e paraqitura në Këshillin Evropian nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në tetor duhet të mbahen në axhendë dhe se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN) duhet të merren në konsideratë.
Duke iu drejtuar personelit të BE-së, Von Burgsdorff bëri thirrje për veprim. "Ne jemi ish-zyrtarë, por ju jeni ata që do të ndikoni tek udhëheqësit", tha ai.
