Bota

Irlanda nuk do të marrë pjesë në një mision për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

"Ne nuk kemi atë kapacitet ushtarak ofensiv në asnjë formë, kështu që padyshim nuk është diçka që është në axhendën tonë", tha kryeministri irlandez, Michael Martin

İlayda Çakırtekin  | 17.03.2026 - Përdıtësım : 17.03.2026
Irlanda nuk do të marrë pjesë në një mision për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Stamboll

Kryeministri irlandez Michael Martin tha të hënën se Irlanda nuk do të marrë pjesë në një mision për të rihapur Ngushticën e Hormuzit pas një thirrjeje të SHBA-së për të vendosur forca detare në zonë, transmeton Anadolu.

Martin përpara vizitës së tij sot në Shtëpinë e Bardhë, përjashtoi përfshirjen e Irlandës në çdo mision të Bashkimit Evropian (BE) për të rihapur rrugën strategjike të naftës.

"Ne nuk kemi atë kapacitet ushtarak ofensiv në asnjë formë, kështu që padyshim nuk është diçka që është në axhendën tonë", tha ai.

Disa vende evropiane kanë hedhur poshtë thirrjet nga SHBA-ja për të vendosur forca detare në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se nuk kanë ndërmend të angazhohen ushtarakisht në konfliktin në rritje me Iranin.

Të hënën, Trump tha se "shumë vende" po përgatiten të ndihmojnë SHBA-në në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por nuk i përmendi ato, ndërsa përmendi shqetësimet se ato mund të shënjestrohen nga Irani.

Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të shqetësimeve të tregut global të energjisë që kur Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftuan mbylljen e saj për shumicën e anijeve mes sulmeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj vendit që filluan më 28 shkurt.

Para se të fillonte lufta, rreth 20 milionë fuçi naftë kalonin nëpër ngushticë çdo ditë. Ndërprerja e saj ka rritur çmimet e naftës. Sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit deri më tani kanë vrarë rreth 1.300 njerëz, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.

Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shenjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın