Irlanda e Veriut përjeton një ditë tjetër me trazira
Oficerët e policisë u sulmuan dhe një autobus u dogj në Belfast

Londër
Oficerët e policisë u sulmuan ndërsa një autobusi të transportit publik iu vu flaka dje në Belfast derisa vazhdojnë trazirat në Irlandën e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trazirat shpërthyen pasi turmat u mblodhën në kryqëzimin Lanark Way dhe Shankill Road, thuhet në deklaratën e Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut (PSNI).
Policia konfirmoi raportimet për sulmin ndaj një fotoreporteri i cili punonte për "Belfast Telegraph". Më shumë se 40 oficerë të policisë u plagosën gjatë trazirave, të cilat vazhduan që nga e shtuna.
Trazirat filluan kur disa anëtarë të Sinn Fein morën pjesë në një funeral me pjesëmarrje të madhe në kulmin e tensioneve të shkaktuara nga marrëveshjet kufitare të Brexit-it, të cilat sollën kontrolle të mallrave të transportuara midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.
Partitë unioniste kritikuan shefin e PSNI-së, Simon Byrne për lejimin e një tubimi të tillë pavarësisht nga kufizimet e koronavirusit (COVID-19) dhe kërkuan dorëheqjen e tij.
Byrne tha se "trazirat e vazhdueshme të rrugës duhet të ndalen". Ai në Twitter shkroi: "Jam i hapur për dialog me këdo që është i gatshëm të punojë me mua për të zgjidhur çështjet me të cilat përballet komuniteti ynë".
"Mesazhi im për ata që janë përfshirë në dhunë është të shkojnë në shtëpi para se dikush të plagoset rëndë. Dhuna nuk është përgjigjja", tha ai.
Reagojnë politikanët
Kryeministri britanik, Boris Johnson shkroi në Twitter se ishte "thellësisht i shqetësuar nga skenat e dhunës në Irlandën e Veriut, veçanërisht sulmet ndaj PSNI-së që mbrojnë publikun dhe bizneset, sulmet ndaj një shoferi autobusi dhe sulmin ndaj një gazetari".
"Mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut, jo përmes dhunës ose kriminalitetit", tha ai.
Ministrja e parë Arlene Foster shkroi në Twitter se dhuna e djeshme ishte "vandalizëm dhe vrasje në tentativë" dhe "nuk përfaqëson unionizëm ose besnikëri".
Zëvendës ministrja e Parë, Michelle O'Neill i përshkroi ngjarjet si "skena të turpshme të kriminalitetit".
Ministri i Jashtëm i Irlandës Simon Coveney tha se skenat ishin "shumë shqetësuese" dhe se "sulmet ndaj policisë, gazetarëve dhe qytetarëve duhet të dënohen nga të gjithë".
Asambleja e Stormont ka vendosur të mblidhet sot për një debat emergjent pas dhunës.
Paqja e brishtë
Irlanda e Veriut mbahet mend për dhunën e saj sektare dhe terrorizmin disa dekadash, e cila mori jetën e mijëra njerëzve deri rreth 22 vjet më parë.
Problemet e epokës së konfliktit midis qeverisë britanike dhe paramilitarëve pro-britanikë në njërën anë dhe republikanëve irlandezë dhe nacionalistëve në anën tjetër, përfunduan në vitin 1998 me Marrëveshjen e Belfastit e cila i dha fund luftës së armatosur disa dekadashe në rajonin e ndarë të Mbretërisë së Bashkuar të Irlandës së Veriut.
Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës nënshkruan marrëveshjen, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe tetë parti politike në Irlandën e Veriut, më 10 prill 1998.
Marrëveshja, e quajtur Marrëveshja e së Premtes së Mirë, kryesisht i dha fund dhunës së epokës së trazirave, në të cilën 3.500 persona humbën jetën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.