Irlandë e Veriut, katolikët tejkalojnë në numër protestantët për herë të parë në historinë e vendit
Shumë njerëz konsiderojnë që identiteti fetar nuk dikton më domosdoshmërisht pikëpamjet mbi statusin kushtetues të Irlandës së Veriut

Londër
Katolikët në Irlandën e Veriut kanë tejkaluar në numër protestantët për herë të parë në historinë e vendit, sipas shifrave të publikuara të enjten nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për sa i përket fesë, shifrat e regjistrimit treguan se 45,7 për qind e popullsisë e ka identifikuar veten si katolike, 43,5 për qind si protestante dhe 1,5 për qind si me prejardhje jo të krishterë.
Për sa i përket kombësisë, 42,8 për qind janë deklaruar si britanikë, 33,3 për qind si irlandezë dhe 31,5 për qind si irlandezë të veriut. Kjo është një rënie në numrin e të deklaruarve si britanikë dhe rritje në atë të irlandezëve veriorë nga viti 2011. Shifrat e regjistrimit treguan gjithashtu se më shumë njerëz tani kanë pasaporta të Irlandës në Irlandën e Veriut.
Popullsia rezidente e Irlandës së Veriut u regjistrua si 1.903.175, më e madhja ndonjëherë.
Historikisht, supozohej se katolikët do të favorizonin ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar dhe bashkimin me Republikën e Irlandës, kurse protestantët të kundërtën. Megjithatë, ky qëndrim sektar tani konsiderohet i vjetërsuar nga shumë njerëz dhe që identiteti fetar nuk dikton më domosdoshmërisht pikëpamjet mbi statusin kushtetues të Irlandës së Veriut.
Marrëveshja e së Premtes së Mirë e vitit 1998 e mbajti Irlandën e Veriut në Mbretërinë e Bashkuar, por i dha sekretarit të Irlandës së Veriut në qeverinë britanike një detyrim për të thirrur referendum për bashkim me Republikën e Irlandës nëse besojnë se shumica e irlandezëve të veriut do ta mbështesin atë.
Sinn Fein, një parti nacionaliste irlandeze që mbron bashkimin e ishullit të Irlandës, ishte partia më e madhe në zgjedhjet e këtij viti për legjislaturën lokale në Irlandën e Veriut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.